I akuzuari për vrasje tenton arratisjen nga burgu i sigurisë së lartë në Fier, çau murin e qelisë

Një tentativë arratisje që rezultoi e pasuksesshme për të paraburgosurin Bledar Selmanaj ndodhi gjatë orëve të natës në burgun e sigurisë të lartë në Fier.
35-vjecari i akuzuar për vrasje mësohet se ka çarë murin e qelisë që ndodhej në kat të parë dhe më pas duke shfrytëzuar tubat e kullimit është ngjitur në tarracën e burgut ku është diktuar nga forcat e sigurisë.
Në reagimin zyrtar për mediat, Drejtoria e Burgjeve tha se rreth orës 03:48, i paraburgosuri Bledar Selmanaj ka dalë përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe është ngjitur në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie.
Forcat e sigurisë janë vënë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit është bërë lokalizimi dhe ndalimi i tij.
Gjatë ndalimit, i paraburgosuri ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë së Burgjeve. Aktualisht, ai ndodhet në izolim, deri në përfundimin e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes
Por kjo nuk është hera e parë që Bledar Selmanaj tenton lirinë.
Selmanaj në shator të vitit 2021 ka tentuar dhe vetëvrasjen teksa ishte i burgosur në burgun e Peqinit, ndërsa tentoi arratisjen nga spitali i burgut në QSUT, ku u shtuar pas këtij episodi.
Bledar Selmanaj ndodhet në paraburgim në pritje të vendimit pas vrasjes në gusht të 2021 në të 25-vjecarit Xhulian Bullari në Babicë të Vlorës që dyshohet se ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Prokuroria ka kërkuar për Selmanajn dënim me burgim të përjetshëm.
/rtsh.al/