E Martë, 3 Nëntor 2026

I dënuar në Itali për “Shfrytëzim prostitucioni”, konfiskohen 14 pasuri të një shtetasi

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, u konfiskuan 14 pasuri të shtetasit M.A., i dënuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga gjykimi në kuadër të procedimit penal nr.808, të vitit 2017, u arrit të provohej se ky shtetas ka kryer veprimtari kriminale në Itali, ku autoritetet gjyqësore të Torinos e kanë deklaruar fajtor dhe ku është dënuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.

Aktet e ardhura nëpërmjet kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet italiane të drejtësisë, provuan faktin e dënimit të formës së prerë të të pandehurit në Itali dhe përfitimin e të ardhurave nga kjo veprimtari e paligjshme.

Nga gjykimi u evidentuan transaksione të shpeshta financiare të kryera nga ushtrueset e prostitucionit në drejtim të të pandehurit apo familjarëve të tij, si dhe u provua se të ardhurat e paligjshme pastroheshin për t’u dukur si të ligjshme nga i pandehuri nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Pasuritë e blera janë përfshirë në shitblerje të përsëritura, duke krijuar një zinxhir të rremë transaksionesh për të legjitimuar të ardhurat. Kjo veprimtari/pastrim është kryer nga i pandehuri jo vetëm si individ por edhe nëpërmjet aktivitetit ekonomik që ai ka hapur si person fizik në shitblerje-dhënie me qira automjetesh.

Në përfundim të gjykimit, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:

– Apartament në qytetin e Durrësit;

– Automjet Mercedes Benc;

– Automjet Suzuki Grand Vitara;

– Automjet Volkswagen;

– Automjet JEPP;

– Automjet Fiat Marea;

– Automjet Maserati;

– Automjet BMV;

– Automjet Mercedes Benc;

– Automjet Audi SQ7;

– Automjet Volkswagen:

– Automjet Volkswagen;.

– Motomjet Motor BMV; dhe

– Aktivitet tregtar me fushë të veprimtarisë Tregti automjetesh dhe dhënie mjetesh me qira, në qytetin e Elbasanit.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, thekson se, mbetet gjithmonë e angazhuar në përmbushjen e detyrimit të saj për dënimin e personave që kryejnë veprën penale të pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtaria kriminale.

/gj.m//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›