E Diel, 1 Nëntor 2026

I dhunoi disa ditë më parë babain, zbardhet plagosja me armë zjarri në Durrës, shpallet në kërkim autori i dyshuar

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Prokurorinë, është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar, shtetasi K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë.

Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 19:30, në zonën e quajtur “Fllakë e Egër”, K. K., duke lëvizur me një automjet tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti “Lancia”, duke plagosur Arbër Gorgea, 36 vjeç, banues në Durrës. Në automjet ndodheshin edhe dy të mitur, 14 dhe 15 vjeç, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.

Motivi i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt i mëparshëm, pasi disa ditë më parë viktima dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait të autorit të dyshuar.

Policia vijon punën për kapjen e autorit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›