I ftohti paralizon Evropën – Borë dhe temperatura ekstreme bllokojnë trena, fluturime dhe rrugë

Temperaturat e ulëta të shoqëruara me reshje të shumta dëbore kanë goditur thuajse të gjithë Evropën, duke shkaktuar probleme të mëdha në transport në Britani, Francë dhe Holandë. Si pasojë në këto shtete janë mbyllur shumë rrugë, janë ndalur fluturime dhe janë anuluar shumë linja udhëtimesh me trena.
Eurostar u kërkoi pasagjerëve që udhëtonin mes Londrës dhe Holandës të shtyjnë udhëtimin. Shërbimi u ndërpre edhe përtej Brukselit për shkak të motit të keq në Holandë. “Trafiku hekurudhor në Holandë është pezulluar për arsye sigurie”, njoftoi kompania. Disa trena mes Londrës dhe Parisit u anuluan, ndërsa pjesa tjetër pati vonesa të gjata.
Në Skoci, borëpastruesit u angazhuan për të liruar linjat hekurudhore të bllokuara. Në disa zona, trashësia e dëborës arriti deri në 52 centimetra. Shërbimi meteorologjik britanik lëshoi paralajmërime për borë dhe akull në disa rajone. Temperaturat kanë zbritur deri në minus 11 gradë dhe pritet të bien edhe më tej.
Mbi 200 shkolla u mbyllën në Irlandën e Veriut. Probleme pati edhe në aeroporte, me anulime fluturimesh në Britani dhe Skoci. Në Paris, fluturimet u reduktuan për shkak të reshjeve të borës. Ndërsa në Holandë, mbi gjysma e fluturimeve u anuluan. Autoritetet paralajmërojnë se moti ekstrem do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/