E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq devijon dy fluturime drejt Barit, Balluku: Mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se kushtet e motit kanë shkaktuar devijime në disa fluturime të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale, Balluku shkruan se gjatë 24 orëve të fundit, dy fluturime në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, janë devijuar drejt Barit, pasi nuk ishte e mundur ulja e sigurt në Tiranë. Ministrja informon se, për shkak të këtyre devijimeve, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

“Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt. Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme. Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror”, shkruan Balluku.

Moti i keq ka përfshirë vendin, duke shkaktuar përmbytje në disa qytete.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›