E Diel, 1 Nëntor 2026

Seri vjedhjesh në Vlorë, finalizohet operacioni “Shops”, në pranga 22-vjeçari

Një seri vjedhjesh që kishin shqetësuar bizneset e vogla në qytetin e Vlorës gjatë ditëve të para të vitit 2026, është zbardhur falë ndërhyrjes së policisë.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Vlorës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Shops”, duke vënë në pranga autorin e dyshuar të disa ngjarjeve.

Në pranga ka rënë shtetasi K. L., 22 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”. I riu nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës, pasi rezulton person me precedent të mëparshëm penal po në fushën e vjedhjes.

Sipas hetimeve të policisë, 22-vjeçari ka kryer disa vjedhje brenda një harku kohor të shkurtër, duke shfrytëzuar orët e vona dhe pakujdesinë e bizneseve. Hetuesit kanë dokumentuar tre raste konkrete:

“Më datë 01.01.2026, në lagjen “28 Nëntori”, ai ka hyrë me thyerje në një dyqan. Më datë 02.01.2026, ka goditur në dy lagje të ndryshme: fillimisht në lagjen “24 Maji” duke vjedhur me thyerje një dyqan, dhe më pas në lagjen “29 Nëntori” në një tjetër subjekt tregtar.”, njofton policia.

Gjatë arrestimit në flagrancë dhe kontrollit të ushtruar në banesën e të riut, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi paketash cigaresh, të cilat dyshohet se janë produkt i vjedhjeve të fundit. Gjithashtu, atij iu gjet edhe një armë e ftohtë (thikë).

Mbi 22-vjeçarin rëndojnë tashmë akuzat për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›