E Premte, 6 Nëntor 2026

I harruar nga Kombëtarja/ Tuci shkëlqen në Slloveni, shpallet lojtari i muajit tetor dhe gjen sërish gol

Indrit Tuci po kalon një periudhë mjaft pozitive në futbollin slloven, ku po konfirmon gjithnjë e më shumë rëndësinë e tij te Olimpija Ljubljana. Sulmuesi shqiptar ka marrë një vlerësim të rëndësishëm, duke u shpallur lojtari i muajit tetor në kampionatin slloven.

Futbollisti kuqezi ka qenë një nga protagonistët e skuadrës gjatë muajit të kaluar, duke lënë gjurmën e tij me gola në ndeshje të rëndësishme. Tuci realizoi dy herë në barazimin 3-3 ndaj Muras, ndërsa më pas shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Mariborit, në derbin e futbollit slloven.

Por lajmet e mira për sulmuesin nuk janë ndalur me kaq. Tuci ka gjetur sërish rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen e sotme kundër Naftës, e cila përfundoi në barazim 1-1. Një tjetër kontribut për ekipin e tij, që vjen në një moment kur shqiptari po tregon një formë mjaft të mirë.

Pavarësisht paraqitjeve pozitive në Slloveni, Tuci mbetet jashtë planeve të Kombëtares shqiptare në grumbullimet e fundit. Forma dhe golat e tij te Olimpija Ljubljana mund të shërbejnë si një sinjal për stafin kuqezi, në një kohë kur konkurrenca për repartin ofensiv mbetet e fortë.

Për 26-vjeçarin, çmimi si lojtari më i mirë i tetorit dhe goli i radhës janë një konfirmim se po kalon një nga periudhat më të mira të aventurës së tij në futbollin slloven.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›