E Diel, 1 Nëntor 2026

I kërkuar nga SPAK si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, ekstradohet sot nga Dubai Durim Bami

Një nga personat më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Durim Bami, pritet të esktradohet këtë të enjte nga Emiratet e Bashkuara.

Mesa duket autoritetet në Dubai i kanë dhënë fund shpresës për liri një prej krerëve më të fuqishëm të botës së krimit që dominonte bandat kriminale në Nikël dhe Fushë-Krujë.

Nën masa të forta sigurie, ai pritet që të merret nga forcat policore në Rinas dhe më pas të përcillet për në qeli ku pritet gjithashtu që ti komunikohen akuzat e ngritura më herët nga Prokuroria e Posaçme.

Durim Bami ishte arrestuar më herët nga autoritetet në Dubai ku Interpol Tirana kishte nisur procedurat dhe kishte përcjellë dosjen e SPAK në lidhje me krimet që akuzohet ai në mënyrë që gjykata në Emiratet e Bashkuara të japin dritën jeshile për esktradimin e tij në vendin tonë.

Kujtojmë gjithashtu se ishte Prokuroria e Posaçme që shpalli në kërkim Durim Bamin në kuadër të dosjes Revanshi i akuzuar për kultivim të parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës. Ndër të tjera ai akuzohet si personi që kishte porositur disa herë vrasjen e ish-deputetit të PS-së në Lezhë, Arben Ndoka.

Lufta mes Bamit dhe Ndokës kishte nisur më herët, pasi i forti i Niklës kishte dyshime se ish-deputeti kishte kërkuar për ta eliminuar, pasi Ndoka kishte dyshime se Bami ishte një nga personat që kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Sipas dosjes voluminoze Durim Bami akuzohet gjithashtu edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Tori Xheçukën.

Sa i takon aktivitetit të jashtëligjëm të Bamit, SPAK argumenton në dosje se Durim Bami përpos atentateve dhe vrasjeve ku faktohet si i përfshirë, kishte një rol të madh ku kontrollonte drogën e mbjellë nga bregdeti i Adriatikut deri në Malësinë e Krujës ku madje kishte mbështetjen edhe të policisë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›