E Martë, 3 Nëntor 2026

I ngritën pritë në Bushat, vëllezërit Prendi qëlluan drejt Audit të blinduar në lëvizje, shpallen në kërkim

Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen kriminale të ndodhur mbrëmjen e djeshme (23 gusht) në fshatin Rranxa të njësisë Bushat në bashkinë Vau Dejës. Duket se e gjithë ngjarja ka qenë një pritë e organizuar ndaj personave që udhëtonin me një Audi të blinduar, ndërsa autor të kësaj ngjarje sipas policisë janë vëllezërit Prendi. Policia ka identifikuar personat e përfshirë në ngjarjen kriminale, por për interes të hetimit nuk ka bërë publike gjeneralitetet e tyre.

Kanë qenë kamerat e sigurisë të sekuestruara nga policia që kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes, ku sipas policisë “automjeti tip Audi që u qëllua ka qenë në ecje e sipër dhe dyshohet se personat që ndodheshin brenda po shkonin tek vëllezërit Prendi për një konflikt të dyshuar mes tyre por janë pritur me armë zjarri”.  Në ngjarje u përfshinë 5 persona, ku po punohet për kapjen e tre autorëve të dyshuar që qëlluan me armë zjarri ndaj mjetit të blinduar, ku brenda tij ndodheshin dy persona.

Për ngjarjen policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim vëllezërit Prendi dhe një person tjetër si autor.

Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motor me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW që është sekuestruar nga policia. Mjeti tip BMW është i dëmtuar edhe ai nga plumbat duke treguar se ka patur shkëmbim zjarri.

Policia ka ushtruar kontroll në banesën e vëllezërve Prendi në Rranxa por nuk i kanë gjetur aty dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim.

Personat e ndodhur në automjetin tip Audi dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër e cila ishte në mbështetje të tyre. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendin“ e mbetur në tentative,  kryer në bashkëpunim  dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›