E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi me thikë në një festival në Gjermani, policia arreston një të dyshuar

Policia gjermane ka arrestuar një person të dyshuar se ishte i përfshirë në sulmin me thikë në një festival në qytetin perëndimor gjerman të Solingen. Nga sulmi me thikë humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë.

“Hetimet dhe kërkimet për autorë të mundshëm të mëtejshëm dhe shkaqet e krimit janë në vazhdimësi”, tha policia.

Incidenti ndodhi rreth orës 21:40 të premten, kur burri sulmoi disa persona me thikë, por motivi mbetet ende i paqartë.

“Autori duhet të kapet shpejt dhe të dënohet në masën më të plotë të ligjit,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një postim në X.

Policia kishte rrethuar sheshin të shtunën dhe kalimtarët vendosën qirinj dhe lule jashtë barrikadave.

“Jemi plot tronditje dhe pikëllim,” u tha gazetarëve të shtunën në mëngjes kryebashkiaku i Solingen, Tim-Oliver Kurzbach.

Muzikanti gjerman Topic ishte duke luajtur në një skenë aty pranë kur ndodhi incidenti. Atij iu tregua për atë që ndodhi, por iu kërkua të vazhdonte “për të shmangur shkaktimin e një sulmi masiv paniku”, postoi ai në Instagram.

Më në fund iu tha të ndalonte dhe “meqenëse sulmuesi ishte ende në arrati, ne u fshehëm në një dyqan aty pranë, ndërsa helikopterët e policisë qarkullonin sipër nesh”, ka shkruar Topic.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›