IKMT forcon kontrollet në terren për mbrojtjen e mjedisit

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Parandalimi i shkeljeve ligjore në fushën e mjedisit dhe forcimi i kontrolleve në terren ishin në qendër të takimit të zhvilluar sot nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit me drejtuesit rajonalë të institucionit dhe përgjegjësit e sektorit të mjedisit.
Drejtori i përgjithshëm i IKMT-së, Afrim Qendro theksoi nevojën për një ritëm të ri pune dhe për intensifikimin e masave në terren, në kushtet kur mbrojtja e mjedisit po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
“Në kushtet kur mjedisi po kthehet në një çështje kryesore prioritare, edhe në funksion të mbylljes së kapitujve në negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, kërkohet një qasje më dinamike dhe më efikase në terren”, u shpreh Qendro gjatë takimit.
Ai prezantoi gjithashtu drejtorin e ri Ersid Hasanllari dhe kërkoi angazhim të shtuar nga strukturat rajonale për ndërhyrje proaktive në terren, me fokus evidentimin e zonave problematike dhe marrjen e masave të menjëhershme ndaj çdo subjekti që cenon mjedisin.
Sipas Qendros, kontrolli në kohë, evidentimi i hershëm i problematikave dhe reagimi institucional mbeten thelbësorë për mbrojtjen e territorit dhe garantimin e standardeve mjedisore në të gjithë vendin.
Takimi u përqendrua gjithashtu në koordinimin mes strukturave rajonale dhe rritjen e efektivitetit të inspektimeve, me synim parandalimin e shkeljeve dhe forcimin e zbatimit të ligjit në mbrojtje të mjedisit.
/e.xh/r.e/