IKMT ndërhyn në Golem dhe Qerret, nga 55 kantiere ndërtimi, vetëm 2 zbatojnë ligjin

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Zonat e Golemit dhe Qerretit rezultojnë ndër më problematiket sa i takon respektimit të detyrimeve ligjore për sigurimin teknik në kantieret e ndërtimit.
Kryeinspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, zhvilluan një takim me sipërmarrësit që ushtrojnë aktivitet në këtë territor.
“Aktualisht, këtu janë 55 leje në zhvillim. Nga kontrolli i parë i kryer prej Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka rezultuar se vetëm dy objekte janë në respektim të kritereve ligjore, ndërsa pjesa tjetër konsiderohen keq ose shumë keq”, u shpreh kryeinspektori Qendro, duke kërkuar të merren masa, pasi është e pafalshme të dëmtohet turizmi në këtë zonë prej 55 kantiereve.
Sipas tij, Golemi bashkë me Qerretin dhe Kavajën kanë me qindra-mijëra banorë të përhershëm por edhe turistë që vijnë në zonë. Qendro kritikoi edhe performancën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë së Kavajës.
“Dua t’i drejtohem edhe drejtorit të IMT-së Kavajë. Nëse ti do ta kishe bërë punën, nuk do të ishim sot këtu. Duhet të jeni në lartësinë e detyrës për ta bërë këtë punë”, nënvizoi Qendro.
Kryeinspektori i IKMT-së njoftoi se javën e ardhshme do të fillojë një rikontroll në të gjitha kantieret e kësaj zone.
“Nëse subjektet nuk do të kenë përmbushur detyrimet e sigurisë teknike, do të merren masa të ashpra sikurse parashikohen në ligj. Kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, falënderoi IKMT-në për angazhimin në prag të sezonit turistik, ndërsa u bëri thirrje bizneseve të reagojnë.
1 nga 2/r.e//a.g/