E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonzato: Dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët njësoj si standardet e BE

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato ishte sot i pranishëm në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë, pjesë e tryezës së dialogut të hapur për “Promovimin e Lirisë së Shprehjes në Shqipëri”.

Gonzato e vendosi theksin e tij te dekriminalizimi i plotë i shpifjes për gazetarët në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se, liria e medias është me një rëndësi të madhe edhe për vijimin e negociatave të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Mendoj se grupet e punës, të ndryshme kanë nxjerrë rekomandime, si protokolli i sigurisë së gazetarëve. Kontributet janë të rëndësishme jo vetëm për reformën, por dhe për ne si Delegacion i BE për vlerësimin betejën dhe angazhimet në udhën e shtetit të së drejtës dhe të vijojmë me përparimet e negociatave”, tha ambasadori Gonzato.

“Jam i vetëdijshëm që ka sfida, dhe disa rekomandime nuk janë marrë parasysh në fazën fillestare, i referohem rekomandimeve për të dekriminalizuar aspektin e shpifjes”, theksoi ai.

“Duhet të pranoj që afatet që janë vënë nga Brukseli ishin të atilla që ceduan cilësinë e procesit. Negociatat po ecin përpara, por ka ende punë. Specifikisht në çështjen e dekliminalizimit të shpifjes, objektivi më i lartë për BE mbetet dekriminalizimi i plotë në linjë me standardet e BE”, tha Gonzato.

Sa i përket ligjit për mediet audiovizive, Gonzato theksoi se, pritet një rishikim i ligjeve.

“Do të ndjek punën që do të bëni. Duam që ky eksperiment t’ia dalë mbanë”, tha ndër të tjera Gonzato.

/gj.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›