Rama: Spitali i Lezhës kryen me sukses një nga ndërhyrjet më sfiduese në kirurgjinë abdominale

TIRANË, 25 mars/ATSH/ Spitali Rajonal i Lezhës, i cili tashmë ka marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale, ka shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Lezhës.
Kryeministri Edi Rama, informoi sot se në këtë spital u realizua me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e një kompleksiteti tepër të lartë.
Sipas Ramës, ndërhyrja e pankreatoduodenektomisë (Procedura Whipple) u krye te një paciente me tumor në kokën e pankreasit, ndërsa teknika përfaqëson një nga ndërhyrjet më sfiduese në kirurgjinë abdominale.
Operacioni u krye me profesionalizëm dhe përkushtim nga ekipi kirurgjikal dr. Aurel Bardhi, dr. Ardian Preli, dr. Elda Papa, ekipi i anestezi-reanimacionit, nën drejtimin e dr. Everest Degës.
“Kjo ndërhyrje përbën një arritje të rëndësishme për Spitalin Rajonal Lezhë, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike në trajtimin e patologjive të avancuara kirurgjikale”, tha Rama.
Spitali Rajonal Lezhë ofron shërbime në patologji, pediatri, shërbimin e anestezi-reanimacionit, të kirurgjisë së përgjithshme, okulistikë, kujdes paliativ, kimioterapi, ortopedi si dhe shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë.
/e.i/r.e/ /a.g/