E Martë, 3 Nëntor 2026

ILD kërkon “Vërejtje Publike” për gjyqtaren Antonela Prendi për shkelje disiplinore

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin ndaj magjistrates Antonela Prendi gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, bazuar në konstatimet e raportit të inspektimit tematik të ILD-së, “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Civile) dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Sipas ILD-së, ky inspektim pasoi me fillimin e verifikimeve për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendimet e shpallura e të dorëzuara të arsyetuara në sekretari pas 120 ditëve nga shpallja.

“Pas analizës rast pas rasti, nga inspektimi ka rezultuar se në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, 89% e vendimeve janë dorëzuar brenda afatit 120 ditor. Ky afat është vlerësuar si koha e arsyeshme, që i nevojitet gjyqtarit/gjykatës të dorëzojë vendimin përfundimtar të arsyetuar, pasi vetëm ky afat mund të bëjë dallimin dhe të shërbejë si një kohë e arsyeshme në situatën konkrete të ngarkesës, organikës dhe numrit të magjistratëve, apo tipologjisë së çështjeve të gjykuara, mes nevojës për të arsyetuar dhe dorëzuar të gjitha vendimet gjyqësore sipas afatit të parashikuar në nenin 308 të Kodit të Procedurës Civile dhe mundësisë dhe kapaciteteve aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për të respektuar këtë afat”, thuhet në njoftimin e ILD-së.

ILD nënvizon në njoftim faktin se hetimi disiplinor ndaj gjyqtares Antonela Prendi për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimit të arsyetuar përfshinte 21 vendime të dorëzuara me vonesë.

“Për vonesën 2 vite e 4 muaj ILD ka kërkuar procedim, ndërsa për vonesat e tjera ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar materialet në KLGJ për vlerësim profesional të magjistrates. Hetimi konstatoi kryerjen e shkeljes disiplinore nga ana e magjistrates me pakujdesi në formë neglizhence, vonesat e evidentuara për një kohë të gjatë në arsyetimin e tre vendimeve gjyqësore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, pavarësisht se ato janë të lidhura direkt me magjistraten”, thuhet në njoftim.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë duke konsideruar rrethana lehtësuese, mospasjen nga magjistratja të ndonjë mase disiplinore dhe sjelljen bashkëpunuese gjatë hetimit disiplinor, raporti i ILD konkludon se veprimet/mosveprimet e magjistrates A.P., përbëjnë “Shkelje të lehtë” disiplinore.

“ILD i propozon KLGJ-së masën disiplinore “Vërejtje publike”, për gjyqtaren A.P., parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “b”, ndarja “i” dhe neni 107 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njofton ILD.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›