E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë kundër HEC-eve në Pukë, banorët e Kalivares, Mesulit dhe Kimzës: Do dëmtojnë ekosistemin

Banorët e zonave të Kalivares, Mesulit dhe Kimzës në Pukë kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve në zonë.

Të mbledhur para Bashkisë së Pukës, ata thanë se projektet rrezikojnë burimet ujore dhe dëmtojnë ekosistemin e një zone me potencial të lartë turistik.Banorët pretendojnë se nuk janë konsultuar për këto projekte. Ata kanë depozituar edhe një kallëzim penal në Prokurori për falsifikim të firmave.

Pas takimit me protestuesit, kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, tha se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të kundërshtuar dhe ndaluar këto projekte.

“Unë jam pro banorëve dhe zhvillimi do të vijë. Nëse banorët nuk janë dakord, edhe kryetari i bashkisë sot e ka tagrin ligjor për ta bllokuar. Unë jam pro jush”, tha ai.

Lejet për ndërtimin e katër hidrocentraleve janë miratuar në vitin 2023. Ato hynë në fuqi në dhjetor të vitit 2025, pas plotësimit të dokumentacionit nga kompania Be-is SHPK.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›