Ujitja e tokave bujqësore në Kukës, vihet në punë kanali që ujit tokat e fshatrave Breglumë dhe Përbreg

Vera sapo ka nisur dhe punët në bujqësi janë në pikun e tyre. Kulturat bujqësore janë në kohën kur kanë më shumë nevojë për ujë, për një ecuri të mbarë dhe rendiment të mirë.
Në Breglume, banorët e fshatit, bashkë me kryetarin e njësisë administrative, Terthorë Zenit Matmuja, u angazhuan për vënien në punë të kanalit ujitës, një punë voluminoze disa ditore për pastrimin e tij në të gjithë gjatësinë, që i kalon 3–4 kilometra.
Për banorët e Breglumës, por edhe të Pobregut, të cilët tokat bujqësore i kanë të përbashkëta, vënia në punë e kanalit ujitës ishte domosdoshmëri.
Duke falënderuar banorët për angazhimin e tyre, administratori Zenit Matmuja ka kërkuar korrektësi dhe menaxhim sa më të mirë të sasisë së ujit, me qëllim që të mos mbetet asnjë metër tokë bujqësore pa ujitje.
Në Breglume janë rreth 70 hektarë tokë bujqësore e shfrytëzueshme dhe shumë produktive. Një pjesë e saj shpeshherë mbetet djerrë për shkak të përmbytjeve, në kohën kur liqeni arrin kuotën maksimale, siç ka ndodhur edhe në këtë periudhë.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/