E Martë, 3 Nëntor 2026

INDI – Mbi 290 të vdekur dhe një i mbijetuar pas rrëzimit të avionit

NJU DELHI, 12 qershor /ATSH-DPA/- Një pasagjer britanik thuhet se ka mbijetuar pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh në Indi.

Avioni i “Air India”, i cili mbante më shumë se 240 persona nga qyteti perëndimor i Ahmedabad në Aeroportin Gatwick, u përplas sot me një universitet mjekësie, ndërsa qindra pasagjerë raportohet se kanë vdekur.

“Hindustan Times” tha se 40-vjeçari britanik Vishwash Kumar Ramesh i mbijetoi rrëzimit, duke i thënë gazetës: “Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të lartë dhe pastaj aeroplani u rrëzua. E gjitha ndodhi kaq shpejt.”

Një video e rrëzimit që qarkulloi në internet tregoi avionin duke fluturuar mbi një zonë banimi përpara se të zhdukej pas pemëve, e ndjekur nga një shpërthim i madh dhe re të mëdha tymi të zi.

“Më shumë se 290 persona kanë vdekur – mes të cilëve edhe studentë mjekësie – pasi një avion i “Air India” që udhëtonte drejt Londrës u rrëzua në një zonë banimi në qytetin Ahmedabad”, raportoi policia, sipas “Guardian”.

Transmetuesi NDTV raportoi se studentët ishin vrarë gjatë rrëzimit të avionit në një qendër akomodimi.

Avioni “Boeing 787-8 Dreamliner” që po udhëtonte për në Gatwick mbante 242 persona kur u rrëzua disa minuta pasi u ngrit nga Ahmedabad, qyteti kryesor në shtetin veriperëndimor indian të Gujarat, në orën 13:38.

Mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi aksidentin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›