INSTAT: Gjatë muajit gusht, sjellja e drejtuesit të makinës shkakton mbi 90% të aksidenteve, Tirana dhe Lezha, qarqet më problematike

159 aksidente rrugore janë regjistruar gjatë muajit Gusht 2025 në Shqipëri, duke lënë 229 persona të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur), sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT dhe Policia e Shtetit.
Pavarësisht kësaj shifre mujore, gjatë periudhës Janar-Gusht 2025 vihet re një rënie e numrit të aksidenteve rrugore me 14,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Thelbi i problemit mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve. Të dhënat tregojnë se aksidentet rrugore, në 91,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e moszbatimit të rregullave të qarkullimit. Numri më i lartë i aksidenteve (18,2%) ndodhi përgjatë ditës së Hënë dhe harku kohor më problematik ishte ora 19:00-24:00, duke zënë 23,3% të aksidenteve gjithsej.”, thuhet në informacionin e publikuar nga INSTAT.
Profili i shoferëve dhe qarqet me risk
Grup-mosha më e ekspozuar ndaj aksidenteve, duke shkaktuar 25,8% të numrit total, mbetet ajo 45-59 vjeç. Vlen të theksohet gjithashtu një rënie e madhe prej 48,1% e aksidenteve të shkaktuara nga drejtuesit e mjetit mbi 60 vjeç.
Në nivel qarqeve, Tirana dhe Lezha shënuan numrin më të lartë të aksidenteve. Në Gusht 2025, Tirana kryeson me 51 aksidente dhe 55 të aksidentuar, ndjekur nga Lezha me 20 aksidente.
/rtsh.al/