E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Kush ndërton pa leje, investon për belanë e vet!

Pas ndërhyrjes së dytë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në zonën turistike të Thethit, ku u shembën disa objekte të ndërtuara pa leje, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama me një mesazh në rrjetet sociale.

Rama ka ndarë pamje nga aksioni i fundit i IKMT-së në Theth, ku një godinë u shemb përmes një shpërthimi të kontrolluar, duke ritheksuar vendosmërinë e qeverisë për të luftuar ndërtimet pa leje dhe për të mbrojtur integritetin e zonave të mbrojtura.

Rama theksoi se nuk do të ketë më tolerime për subjektet që ndërtojnë jashtë ligjit.

“Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet. Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”

Ky aksion vjen pas një operacioni të ngjashëm të zhvilluar në korrik, ku u prishën rreth 70 ndërtime pa leje në të njëjtën zonë.

IKMT ka paralajmëruar se aksionet do të vijojnë pa kompromis, në kuadër të objektivave për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe përmbushjen e standardeve europiane të zhvillimit.

Aksioni në Theth është pjesë e përgatitjeve për zbatimin e programit “Rilindja Urbane 2.0”, që synon rikthimin e ligjshmërisë dhe zhvillimin e komuniteteve.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka prezantuar masa të reja ligjore për kontroll më të fortë mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike dhe ndëshkimin e ndërtimit pa leje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›