INSTAT: Sëmundjet e zemrës, shkaku kryesor i vdekjeve gjatë vitit 2025

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Në Shqipëri u regjistruan 21 394 vdekje gjatë vitit 2025, ose 3,2% më pak krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, 96,7% e vdekjeve gjatë vitit 2025 kanë ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore, 2,2% si pasojë e aksidenteve, 0,2% nga vrasjet dhe 0,9% nga vetëvrasjet.
Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të jenë shkaku kryesor i vdekjeve, duke përbërë 52,9% të totalit, në të njëjtin nivel me vitin 2024.
Brenda këtij grupi, sëmundjet kronike të zemrës përbëjnë 42,2% të rasteve, sëmundjet ishemike të zemrës 22,4%, ndërsa sëmundjet e enëve të trurit 18,8%.
Në vendin e dytë renditen “Simptomat, shenjat dhe sëmundjet e papërcaktuara mirë”, që përbëjnë 20,9 % të totalit të vdekjeve. Brenda këtij grupi, 72,9% e rasteve lidhen me pleqërinë.
Grupi i sëmundjeve tumorale zë vendin e tretë. Tumoret malinje të aparatit të tretjes përbëjnë 35,5% të vdekjeve nga tumoret, të ndjekura nga tumoret e aparatit të frymëmarrjes me 23,3% dhe tumoret e organeve urogjenitale me 14,3%.
Të dhënat tregojnë se sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë, duke përfaqësuar 54,5% të vdekjeve te femrat dhe 51,6% te meshkujt. Nga ana tjetër, tumoret janë më të shpeshta te meshkujt, duke zënë 17,5% të vdekjeve, kundrejt 12,8% te femrat.
Gjatë vitit 2025 u regjistruan gjithashtu 106 vdekje foshnjore, nga 110 një vit më parë, ndërsa norma e vdekshmërisë foshnjore mbeti e pandryshuar në 4,7 për 1.000 lindje të gjalla.
/e.xh/j.p/r.e/