E Diel, 1 Nëntor 2026

Memeti: Shqipëria ka përfunduar punën teknike për kapitujt 32 dhe 33 të negociatave me BE-në

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot seancë dëgjimore për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian me zëvendësministrin e Financave, Andi Memeti, negociator përgjegjës për Kapitullin 32 “Kontrolli Financiar” dhe Kapitullin 33 “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore”.

Gjatë raportimit, Memeti e cilësoi Kapitullin 32 si një nga kapitujt kyç të procesit të integrimit evropian, pasi lidhet me forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, auditimin e brendshëm dhe të jashtëm, mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe mbrojtjen e euros nga falsifikimi.

“Në thelb, ky kapitull synon që fondet e qeverisë dhe fondet e Bashkimit Evropian të menaxhohen me transparencë, llogaridhënie dhe eficiencë”, u shpreh ai.

Memeti bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka përcaktuar katër piketa përmbyllëse për këtë kapitull, të cilat lidhen me kontrollin e brendshëm financiar publik, kontrollin e jashtëm, funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit sipas standardeve evropiane, si dhe plotësimin e bazës ligjore për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Ai nënvizoi se negociatat kanë avancuar ndjeshëm në aspektin teknik.

“Puna teknike për këta kapituj ka nisur në tetor 2024 dhe sot mund të themi se ajo ka përfunduar. Progresi i deritanishëm përfshin përafrimin ligjor dhe institucional me acquis të Bashkimit Evropian”, deklaroi Memeti.

Sa i përket mbrojtjes së interesave financiare të Bashkimit Evropian, zëvendësministri theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë.

“Shqipëria ka miratuar Strategjinë për Mbrojtjen Kundër Mashtrimit 2025-2030 dhe ka ngritur strukturat përkatëse që bashkëpunojnë me strukturat e kontrollit të Komisionit Evropian”, tha ai.

Memeti shtoi se kuadri ligjor për mbrojtjen e euros nga falsifikimi është tashmë plotësisht i harmonizuar me legjislacionin evropian.

“I gjithë kuadri ligjor për mbrojtjen e euros nga falsifikimi është në përputhje të plotë me atë të Bashkimit Evropian. Banka e Shqipërisë mbikëqyr të gjithë procesin për mbrojtjen e tregut nga qarkullimi i parave të falsifikuara”, u shpreh ai.

Duke folur për kontrollin e brendshëm financiar publik, Memeti bëri të ditur se çdo vit kryhen rreth 20 vlerësime nga strukturat përgjegjëse dhe publikohet raporti vjetor mbi cilësinë e sistemeve të kontrollit në institucionet shtetërore.

I pyetur për rastet e dyshuara për abuzime financiare, ai tha se në Ministrinë e Financave funksionon një strukturë e posaçme që kryen inspektime administrative mbi rastet e raportuara dhe ia referon ato institucioneve kompetente për hetim.

“Kjo strukturë është plotësisht funksionale dhe bashkëpunon ngushtë me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), në mbrojtje të interesave financiare të Bashkimit Evropian”, përfundoi Memeti.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›