E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Kryengritjet zgjerohen në 107 qytete në mbarë vendin

TEHERAN, 5 janar /ATSH/- Demonstratat dhe përleshjet me thirrjet “Vdekje Khamenei”, kanë shpërthyer në Teheran dhe qytete të tjera, sipas NCRI.

Mbrëmjen e djeshme, ditën e tetë të kryengritjes mbarëkombëtare, Teherani dhe shumë qytete të tjera u përfshinë nga demonstrata dhe përleshje intensive midis të rinjve rebelë dhe forcave shtypëse.

Kryengritjet, tani janë përhapur në 107 qytete në të gjithë Iranin, në tetë ditët e fundit.

Pavarësisht një gatishmërie të lartë nga forcat ushtarake, të sigurisë shtetërore dhe të inteligjencës në Teheran, banorët protestuan në zona të ndryshme të qytetit.

Dje në mëngjes, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe armë me fishekë kundër njerëzve që protestonin në rrugët Saadi dhe Hafez dhe përreth kalimeve Alaeddin dhe Charsou.

Të rinjtë sfidues i rezistuan bastisjes duke i vënë flakën kazanëve të plehrave dhe duke krijuar bllokada rrugore.

Në rrugën Molavi, agjentët e regjimit hapën zjarr ndaj shitësve të perdeve që protestonin.

Përleshjet midis studentëve dhe forcave shtypëse vazhduan deri vonë natën. Studentët në Tarbiat Modares në Teheran dhe Birjand u zotuan të vazhdonin kryengritjen.

Në Nurabad Mamasani (provinca Fars), demonstratat u përshkallëzuan në konfrontime të armatosura me agjentët e regjimit, me përleshje të vazhdueshme në rrugë.

Në Isfahan, të rinj sfidues u përleshën me forcat shtypëse në Si-o-Se-Pol, Urën Khaju dhe Chaharbagh, duke i vënë flakën automjeteve të tyre.

Në Fuladshahr, Isfahan, të rinj të guximshëm u përballën me forcat policore që qëllonin mbi protestuesit.

Regjimi, nga frika e përhapjes së kryengritjes studentore, mbylli Universitetin e Teknologjisë të Isfahanit, për nëntë ditë.

Dje në mbrëmje, forcat shtypëse sulmuan gjithashtu Spitalin Khomeini në Ilam, ku ishin shtruar të plagosurit e përleshjes së fundit.

Në Mehdi Shahr, provinca Semnan, u mbajt një protestë me thirrjet “Vdekje diktatorit”.

Dje pasdite, protestuesit bllokuan rrugën Ahvaz-Andimeshk në Abdolkhan, Ahvaz, duke i vënë flakën gomave.

Në Qorveh, provinca e Kurdistanit, të rinjtë protestues u përleshën me policinë.

Në Mashhad (Ahmadabad dhe Shandiz), banorët, të udhëhequr nga gra heroike, u përleshën me forcat e sigurisë ndërsa brohorisnin “Vdekje diktatorit”.

Në Sari, Mashkan-e Niriz, Yazd, Lahijan, Sarableh, Hamedan, Bushehr, Yasuj, Zahedan, Qazvin, Dorud, Khorramabad dhe Dezful (Abdol Khan), të rinjtë rebelë morën kontrollin e rrugëve duke vënë zjarre, duke bllokuar rrugët dhe duke u përleshur me mercenarët e regjimit. //a.i/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›