PD mbledh Foltoren para Kryeministrisë

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.
Gjatë fjalës së tyre, deputetët po ngrenë shqetësime mbi problematikat e qarqeve nga të cilët janë zgjedhur, ndërsa po përsërisin kërkesën për largimin e qeverisë.
I pari që mori fjalën ishte deputeti Luçiano Boçi, i cili u shpreh kritik ndaj qeverisë Rama, duke thënë se kryeministri ka sjellë vetëm korrupsion për shqiptarët.
“Kemi dëgjuar shumë opinione për platformën tonë, dhe u themi se nuk jemi këtu për spektakël politik, por jemi për të kërkuar llogaridhënie e drejtësi në mungesë të institucioneve. Jemi këtu për të transmetuar dhe për të mbrojtur të vërtetat tona sepse janë të vërteta të qytetarëve. Sot 46% e tyre janë në rrezik, varfëri apo në rrezik përjashtimi social. Qytetarët mbajnë mbi supe peshën e korrupsionit”, tha ai.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
Të pranishëm në protestë janë kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, si dhe mbështetës të PD-së.
Foltore e PD para Kryeministrise, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7/m.m/j.p/r.e/