ITALI – Ish-drejtori i Festivalit të Salzburgut, Alexander Pereira dënohet për përvetësim parash

ROMË, 29 maj /ATSH-ANSA/- Një gjykatë italiane ka dënuar ish-drejtorin e Festivalit të Salzburgut, Alexander Pereira, për përvetësim parash.
“Austriaku, 77-vjeçar u shpall fajtor për përdorimin e Teatrit të Operas së Salzburgut për të paguar shpenzime private – gjatë kohës që ishte drejtor i festivalit”, thuhet në raport.
Pereira mori një dënim me kusht prej 22 muajsh. Vendimi nuk është ende përfundimtar.
Ish-drejtori u lirua gjithashtu nga akuzat në një rast më serioz, në të cilin ai akuzohej për keqpërdorim të rreth 35 milionë eurove (39,8 milionë dollarë) – nga një fond shtetëror kulturor – i destinuar për të forcuar kapitalin e fondacionit – për shlyerjen e pagave dhe taksave. Gjykata vendosi se kjo akuzë nuk mund të provohej.
Sipas vendimit, Pereira i faturoi fondacionit të operës shpenzime që nuk mbuloheshin nga kontrata e tij, duke përfshirë zhvendosjen e tij nga Milano në Firence dhe një udhëtim me tren.
Ai duhet t’i kthejë fondacionit më pak se 26,000 euro dhe të paguajë një dëmshpërblim prej 1,500 eurosh.
Pereira ishte drejtor i Festivalit të Salzburgut midis viteve 2012 dhe 2014, përpara se të transferohej në shtëpinë e operës “La Scala”, në Milano.
Në vitin 2019, ai mori përsipër menaxhimin e shtëpisë tradicionale të operës “Maggio Musicale Fiorentino” në qytetin toskan të Firences, ku punoi deri në vitin 2023 – dhe u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të akuzave. //a.i/