E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë: Izraeli mbështet planin e SHBA-së për armëpushim në Gaza

UASHINGTON, 29 maj /ATSH-DPA/ – Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të përkohshëm në konfliktin e Gazës, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Karoline Leavitt, zëdhënësja e presidentit të SHBA-së Donald Trump tha se sipas njohurive të saj, lëvizja islamiste palestineze Hamas ende nuk kishte rënë dakord me planin. “Bisedimet me të gjitha palët janë duke vazhduar”, tha ajo.

“SHBA-ja shpreson se do të ketë një armëpushim në mënyrë që të gjithë pengjet të mund të kthehen në shtëpi nga Rripi i Gazës”, tha Leavitt.

Ajo theksoi se nëse arrihet një marrëveshje, Shtëpia e Bardhë do ta bënte menjëherë të ditur. Leavitt nuk dha asnjë detaj në lidhje me propozimin aktual të armëpushimit.

Sipas raporteve të medieve izraelite, plani i të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, parashikon një armëpushim 60-ditor.

Raportohet se 10 pengje të mbajtura në Rripin e Gazës duhet të lirohen në dy faza brenda një jave. “Përveç kësaj, trupat e 18 të rrëmbyerve duhet të dorëzohen”, sipas disa raporteve.

Në këmbim do të lirohen, 125 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1 111 banorë të Gazës që janë mbajtur në burgjet izraelite – që nga sulmet terroriste të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Raportet sugjerojnë që gjatë armëpushimit dymujor, duhet të zhvillohen bisedime për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë.

Në rast të një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Hamasit, pengjet e mbetura dhe trupat e të rrëmbyerve do të duhet të dorëzohen.

Hamasi, kohët e fundit ka refuzuar një armëpushim të përkohshëm dhe kërkon tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe përfundimin e konfliktit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›