FOKUS – Mosmarrëveshjet mbi Iranin sjellin tension në raportet MB–SHBA

LONDËR, 3 mars/AP/ ATSH/ Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar kritikat ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, duke e akuzuar për mungesë mbështetjeje në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite kundër Iranit. Ndërsa Starmer ka shmangur komentet kritike ndaj Trump, tonet nga Uashingtoni janë bërë gjithnjë e më të forta, duke tensionuar raportet tradicionale mes dy aleatëve.
Në një intervistë për “The Sun”, Trump deklaroi se marrëdhëniet me Britaninë “nuk janë më si dikur”, duke renditur Francën dhe vende të tjera europiane si partnerë më bashkëpunues. Ai shtoi se zhgënjimi lidhet me hezitimin e Londrës për të marrë pjesë në goditjet e para ndaj Iranit.
Starmer, në fillim, nuk lejoi përdorimin e bazave britanike për sulmet, por më vonë dha miratimin për përdorimin e bazave në Angli dhe Diego Garcia për të goditur vetëm raketat balistike iraniane dhe depot e tyre. Edhe pasi baza britanike në Akrotiri, Qipro, u godit nga një dron iranian, Starmer theksoi se Mbretëria e Bashkuar “nuk do të marrë pjesë në veprime ofensive”.
Kryeministri britanik mbrojti qëndrimin në parlament, duke theksuar se çdo veprim i U.K. duhet të ketë bazë ligjore dhe plan të qartë. Ai shtoi se është detyrë e tij të mbrojë interesin kombëtar, pavarësisht pakënaqësisë së Trump. Komentet e tij u interpretuan nga shtypi britanik si një moment i ngjashëm me skenën e filmit “Love Actually”, ku një kryeministër britanik përballet me presionin e presidentit amerikan.
Mospajtimet mes dy liderëve kanë nisur muaj më parë, përfshirë kundërshtimin e Starmer ndaj propozimit të Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, si edhe kritikat e presidentit amerikan për vendimin britanik për t’ia kaluar Ishujt Chagos Mauritiusit.
Ndarje të thella janë shfaqur edhe brenda Europës: ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte mbështeti pa rezerva goditjet amerikane, Spanja i cilësoi ato “të pajustifikueshme”. Britania, Franca dhe Gjermania deklaruan se nuk morën pjesë në ofensivë, por janë të gatshme të mbështesin veprimet mbrojtëse kundër raketave dhe dronëve iranianë.
Brenda Mbretërisë së Bashkuar, sondazhet tregojnë skepticizëm të gjerë ndaj arsyeve të SHBA-së për nisjen e luftës, ndërsa opozita konservatore e kritikoi Starmer për mosangazhim ushtarak. Megjithatë, qeveria mohon çdo krizë në marrëdhëniet dypalëshe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve “ka qenë dhe mbetet i fortë”.