ITALI – Meloni: Ndihmë ajrore dhe detare në Lindjen e Mesme

ROMË, 5 mars /ATSH/ – Italia njoftoi se do të dërgojë ndihmë me sisteme të mbrojtjes ajrore për vendet e Gjirit dhe do të vendosë mjete detare në mbështetje të Qipros, pas përshkallëzimit të sulmeve nga Irani në rajon, sipas Reuters.
Qeveria italiane theksoi se masa synon mbrojtjen e qytetarëve italianë, trupave të saj të dislokuara jashtë vendit dhe sigurinë energjetike, në një kohë kur konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në fazë të re tensioni dhe po ndikon tregjet globale.
Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se Roma do t’u përgjigjet kërkesave të vendeve të Gjirit për pajisje të mbrojtjes ajrore dhe do të mbrojë italianët në terren. Ajo tha gjithashtu se Italia nuk ka marrë ende kërkesë për përdorimin e bazave amerikane në territorin e saj, por çdo kërkesë e tillë do të kalojë përmes parlamentit.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto, Italia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë e mbrojtjes ajrore dhe do të dërgojë mjete detare për të ndihmuar mbrojtjen e Qipros së bashku me disa aleatë evropianë.
Autoritetet italiane kanë ndihmuar rreth 10 000 shtetas të largohen nga rajoni, ndërsa më shumë se 2 500 trupa italiane ishin të dislokuara në zonë përpara përshkallëzimit të konfliktit.
Opozita ka kritikuar kryeministren për mungesën e saj në parlament për të diskutuar krizën, duke e cilësuar këtë si mungesë vizioni politik.
Situata mbetet e tensionuar ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë sigurinë dhe ekonominë ndërkombëtare. /Ad.Ab./