GJERMANI – Wadephul: 200 milionë euro për mbrojtjen energjetike të Ukrainës

BERLIN, 5 nars /ATSH-DPA/ – Gjermania do t’i japë Ukrainës edhe 200 milionë euro shtesë për të përballuar sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit, njoftoi sot ministri i Jashtëm, Johann Wadephul.
Duke folur në Berlin gjatë një takimi me homologun moldav, Mihai Popsoi, miinistri Wadephul tha se fondet synojnë të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës ndaj fushatës së bombardimeve ruse.
Sipas tij, financimi do të përdoret për blerjen e dronëve zbulues dhe për mbështetjen e mbrojtjes civile. “Kjo forcon qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe njëkohësisht i shërben edhe Moldavisë”, theksoi ai.
Wadephul minimizoi shqetësimet se vëmendja ndërkombëtare mund të largohet nga përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë për shkak të konfliktit në Iran. Ai nënvizoi se, megjithë kërcënimet e reja që mund të lindin nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, për Gjermaninë lufta e Rusisë kundër Ukrainës mbetet çështja kryesore e sigurisë.
Financimi shtesë nga Berlini vjen në një kohë tensionesh në nivel evropian lidhur me ndihmën për Kievin, pasi Hungaria ka vënë veton ndaj një pakete prej 90 miliardë eurosh të BE-së, duke pretenduar se Ukraina po bllokon furnizimet me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”. /Ad.Ab./