ITALI – Meloni: Pa Maduron, një shpresë e re për Venezuelën

ROMË, 5 janar /ATSH-ANSA/ – Një faqe e re shprese për popullin venezuelian me largimin e Maduros, u shpreh kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një bisede telefonike me lideren e opozitës venezueliane dhe fituesen e çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado.
Biseda vjen pas kontaktit që Machado pati edhe me presidentin francez Emmanuel Macron, lidhur me perspektivat për një tranzicion paqësor dhe demokratik në Karakas.
”Largimi i Maduros përfaqëson për qytetarët e Venezuelës shpresën për t’u rikthyer te gëzimi i parimeve bazë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, ishte bindja e përbashkët e dy lidereve.
”Telefonata me Machado (së fundmi e përjashtuar nga Trump për sa i përket udhëheqjes së mundshme të vendit) tregon afërsinë e Italisë me popullin venezuelian dhe vëmendjen ndaj zhvillimeve të çështjes”, theksojnë burime nga partia në pushtet.
Ndërkohë, më shumë se 24 orë pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës, Matteo Salvini thyen heshtjen.
Në pak rreshta të publikuara në Instagram, ai shpreh një qëndrim të ndryshëm nga pozicioni zyrtar i qeverisë.
”Askush nuk do të ndiejë nostalgji për Maduron, përgjegjës për varfërimin dhe shtypjen e popullit të tij për vite me radhë”, nis deklarata e Salvinit.
”Megjithatë rruga kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfundimin e konflikteve duhet të kthehet te diplomacia, duke respektuar të drejtën e popujve për të vendosur për të ardhmen e tyre”, shton ai./ /Ad.Ab./ a.jor.