Nga familje ushtarakësh, te bashkimi me vëllanë: Mesazhet e kadetëve të rinj

TIRANË, 5 janar /ATSH/ 387 rekrutë, kadetë dhe studentë të rinj, janë zyrtarisht pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Fuqia luftarake e Forcave të Armatosura bazohet në kapitalin njerëzor, disiplinën dhe gatishmërinë operacionale, të mbështetura nga programi strategjik “Mbrojtja 2030”.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përcolli sot mesazhet e disa prej kadetëve të rinj, pas ceremonisë së betimit, duke ndarë eksperiencën personale të tyre me uniformën e ushtarakut.
Kolonel Arjan Osmani, njëherësh pedagog në akademinë e FA shprehet se betimi është akti më solemn në jetën e ushtarakut që i përgatit ata për rrugëtimin e gjatë në radhët e Forcave të Armatosura.
Vilson Demko, kadet i Forcave të Armatosura, tha se ceremonia e betimit të ushtarakut për të është një emocion shumë i veçantë.
“Kam vendosur të jem pjesë e FA sepse më pëlqen rregulli dhe disiplina, gjithashtu dua t’i shërbej vendit tim”, tha ai.
Ndërsa, kadet Jugedia Çibaku u shpreh se momenti i betimit para shqiptarëve, të cilëve ka zgjedhur t’u shërbejë me uniformën e ushtarakut, mbetet një moment i veçantë. Çibaku tha se është ndjerë gjithnjë pjesë e ushtrisë, duke u rritur me frymë ushtarake, për shkak të të atit.
Kadet Matias Qasolli tha në mesazhin e tij se vjen nga një familje ushtarakësh.
“Kur mamaja ime bën kursin e radhës, vij dhe e takoj ndonjëherë. Ajo është një epror jo i drejtpërdrejtë sipas rregullores që kemi mësuar, por jam i detyruar ta nderoj. Është një ndjesi e çuditshme. Kur vijmë në shtëpi duket sikur s’ka ndodhur asgjë”, tha ai.
Kristina Ndreca, kadet e Forcave të Armatosura, tha se në këtë akademi ka hyrë së bashku me të vëllanë. Ndreca tha se ka qenë e pandarë me të vëllanë, që nga klasa e parë.
“Edhe në bankë kemi qenë bashkë. Jo, nuk do ndahemi as në Forcat e Armatosura do vazhdojmë gjithë rrugën bashkë”, tha Ndreca.
Në ceremoninë e betimit të kadetëve të rinj pak ditë më parë, të pranishëm ishin Presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu. Forcat e Armatosura operojnë si një strukturë moderne, ndërvepruese me aleatët dhe e aftë të përballojë kërcënime ushtarake dhe kibernetike.
/e.i/r.e/a.f/