IZRAEL – Herzog: Urdhrat e ICC-së një ditë e errët për drejtësinë

TEL AVIV, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti izraelit Isaac Herzog reagoi sot me zemërim ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë, që lëshoi urdhërarreste ndërkombëtare për kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.
“Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë. Një ditë e zezë për njerëzimin”, shkroi ai në X.
Sipas aktakuzës, Netanyahu dhe Gallant dyshohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në lidhje me veprimet e ndërmarra gjatë konfliktit në Rripin e Gazës që nga 8 tetori i vitit të kaluar.
Gjykata ka lëshuar urdhraarresti për liderin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit që nga 7 tetori i vitit të kaluar, pas masakrës së paprecedentë nga Hamasi dhe grupet e tjera në Izraelin jugor.
Ka raporte të pakonfirmuara se Deif u vra në një sulm ajror izraelit në Gaza në korrik.
Urdhëresat, të miratuara nga gjyqtarët në Hagë të enjten, pasuan një mocion të paraqitur nga kryeprokurori Karim Khan në maj 2023.
Izraeli nuk i është bashkuar kurrë Statutit të Romës të ICC-së dhe nuk e njeh gjykatën./ a.jor.