E Diel, 1 Nëntor 2026

IZRAEL – Katz kërcënon se do të godasë infrastrukturën në Liban

TEL AVIV, 13 mars /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka kërcënuar se do të shkaktojë dëme në infrastrukturën kombëtare të Libanit që përdoret nga terroristët e Hezbollahut.

“Qeveria libaneze ka mashtruar dhe nuk ka përmbushur angazhimin për të çarmatosur Hezbollahun. Libani do të paguajë një çmim gjithnjë e më të lartë përmes dëmtimit të infrastrukturës dhe humbjes së territorit, derisa të realizohet ky objektiv”, tha Katz.

Ministri izraelit i Mbrojtjes i bëri këto deklarata gjatë një konference informimi, në Tel Aviv.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite njoftoi se kishte sulmuar një urë të rëndësishme mbi një lumë, e cila sipas saj përdorej nga Hezbollahu për furnizime me armë në jug të Libanit.

“Ky është vetëm fillimi”, paralajmëroi Katz lidhur me sulmin.

Sipas ushtrisë izraelite, milicia shiite e mbështetur nga Irani kishte vendosur së fundmi lëshues raketash në atë zonë dhe kishte qëlluar predha drejt Izraelit.

Në Liban po rriten gjithashtu shqetësimet se Izraeli mund të shënjestrojë edhe Aeroportin e Bejrutit.

Ky objekt është konsideruar prej kohësh nën ndikimin e Hezbollahut, megjithëse qeveria libaneze ka bërë përpjekje për ta ndryshuar këtë situatë.

Vëzhguesit thanë se është shënuar njëfarë progresi në këtë drejtim.

Gjatë luftës në Liban në vitin 2006, ushtria izraelite bombardoi Aeroportin e Bejrutit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›