IZRAEL – Netanyahu: Kritikat e Macron shpërblejnë terrorizmin

TEL AVIV/PARIS, 14 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i është përgjigjur kritikave të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Në një postim në platformën X, Netanyahu tha se Macron po kërkonte sërish që Izraeli të dorëzohej dhe të shpërblente terrorizmin.
Më herët, Macron kritikoi veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës, siç ka bërë shpesh në të kaluarën.
“Macron ka zgjedhur sërish të qëndrojë në krah të një organizate terroriste islamike vrasëse, duke akuzuar Izraelin për shpifje antisemite”, sipas deklaratës.
Shpifjet i referohen akuzave të rreme antisemite që janë bërë kundër hebrenjve që nga Mesjeta.
Netanyahu tha se Izraeli ka luftuar një luftë për ekzistencën e tij në disa fronte pas masakrës së Hamasit më 7 tetor 2023. Dhjetëra qytetarë francezë u vranë dhe u rrëmbyen gjithashtu në atë kohë.
“Ajo që po bën aktualisht qeveria e Benjamin Netanyahu është e papranueshme. Ndihma humanitare nga Franca dhe vende të tjera për popullin e Gazës po bllokohet nga Izraeli”, tha të martën Macron për kanalin francez “TF1”.
“Ky është një turp. Franca gjithmonë e ka njohur të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, por gjithashtu e ka bërë të qartë se zgjidhja nuk qëndron në sulme pa kriter ndaj Rripit të Gazës”, shtoi presidenti francez.
Izraeli nuk ka lejuar asnjë dërgesë të ndihmave në Rripin e Gazës që nga fillimi i marsit.
Vendi ka akuzuar Hamasin për rishitjen e furnizimeve të ndihmës për fitime – për të financuar luftëtarët dhe ushtrinë e tij.
Ushtria izraelite tha se civilët nuk kanë qenë në shënjestër në sulmet e saj.
Autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi thanë se dhjetëra mijëra palestinezë janë vrarë në luftë.
Informacioni i dhënë nga të dyja palët aktualisht nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. //a.i/