IZRAEL – Qeveria miraton fazën e parë të marrëveshjes për Gazën

TEL AVIV, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Qeveria e Izraelit ka miratuar kornizën për lirimin e të gjithë pengjeve, sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu sot në orët e para të mëngjesit.
Në postimin zyrtar në X thuhej se “qeveria sapo ka miratuar kornizën për lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur”.
Netanyahu tha gjatë mbledhjes, ku ishin të pranishëm edhe i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, se Izraeli është pranë një “zhvillimi historik” dhe se qëllimi kryesor i luftës ka qenë kthimi i pengjeve.
Marrëveshja, e ndërmjetësuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon lirimin e të gjithë pengjeve dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite në një vijë të dakorduar brenda Gazës. Në këmbim, Izraeli do të lirojë rreth 250 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe afërsisht 1 700 të tjerë të arrestuar pas sulmeve të Hamasit dy vite më parë, që shkaktuan shpërthimin e konfliktit.
Nga ana tjetër, zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya, deklaroi se grupi palestinez e konsideron luftën në Gaza të përfunduar.
Ai tha se delegacioni palestinez ka marrë garanci nga ndërmjetësit dhe administrata amerikane se “lufta ka përfunduar plotësisht” dhe se përgjigjja e Hamasit “shërben interesat e popullit palestinez dhe shmang gjakderdhjen”.
Al-Hayya theksoi se sakrificat e popullit palestinez nuk do të jenë të kota dhe se grupi do të vazhdojë të kërkojë liri dhe vetëvendosje.
Presidenti amerikan Donald Trump e quajti marrëveshjen “një përparim historik në Lindjen e Mesme” dhe tha se me këtë hap “u arrit paqja” pas dy vitesh lufte.
Sipas marrëveshjes, të gjithë 48 pengjet izraelite do të lirohen brenda 72 orëve, ose trupat e tyre do t’u kthehen familjeve. Rreth 200 trupa amerikane do të ndihmojnë në monitorimin e armëpushimit, megjithatë asnjë prej tyre nuk do të vendoset brenda Gazës.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit izraelit, Amir Ohana, e ftoi Trumpin të mbajë një fjalim në Kneset gjatë vizitës së tij të ardhshme në Lindjen e Mesme. Ai e quajti Trumpin “mikun dhe aleatin më të madh të popullit hebre në historinë moderne” dhe shtoi se “Izraeli pret Presidentin e Paqes”. Trump ka sinjalizuar se do të udhëtojë në rajon shumë shpejt, ndoshta që të dielën. /Ad.Ab./