E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sistemi i ri për hyrjet në zonën Shengen, Rizzo për ATSH: Regjistrim digjital i të dhënave të udhëtarëve, asnjë tarifë shtesë

TIRANË, 10 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ Nga data 12 tetor hyn në fuqi sistemi i ri evropian i menaxhimit të kufijve, i njohur si Sistemi i Hyrjeve/Daljeve (EES), që do të ndryshojë mënyrën se si qytetarët shqiptarë dhe shtetasit e tjerë jashtë BE-së regjistrojnë hyrjet dhe daljet e tyre në zonën Schengen.

Ky sistem digjital, që do të zëvendësojë vulosjen tradicionale të pasaportave, synon të rrisë sigurinë, të përmirësojë kontrollin kufitar dhe të lehtësojë udhëtimet për qëndrime të shkurtra.

Zbatimi i tij do të bëhet gradualisht për gjashtë muaj, deri më 10 prill 2026, kur EES do të jetë plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare të vendeve Schengen.

Shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, André Rizzo sqaron në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se çfarë pritet të ndryshojë për qytetarët shqiptarë dhe si do të mbrohen të dhënat e tyre personale në këtë proces.

Intervista e plotë me shefin e Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, André Rizzo

ATSH: Si do të ndikohet procesi i kalimit kufitar për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në zonën Schengen, pas hyrjes në fuqi të Sistemit të Hyrjeve/Daljeve (EES) më 12 tetor 2025?

Rizzo: Sistemi i Hyrjeve/Daljeve është një sistem teknologjik i avancuar që do të regjistrojë në mënyrë digjitale hyrjet dhe daljet e shtetasve joanëtarë të BE-së, që udhëtojnë në 29 vende të Schengenit, për qëndrime të shkurtra. Nga 12 tetori 2025, vendet e Schengenit do të fillojnë të prezantojnë sistemin e Hyrjeve/Daljeve gradualisht gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh. Në fund të kësaj periudhe, që nga 10 prilli 2026, sistemi do të vendoset plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Sa herë që shtetasit joanëtarë të BE-së, përfshirë qytetarët shqiptarë, mbërrijnë në një kufi të jashtëm të një vendi të Schengenit, sistemi do të regjistrojë: të dhënat e listuara në dokumentin e udhëtimit; të dhënat biometrike, të tilla si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës si dhe të dhënat e udhëtimit (data dhe vendi i hyrjes dhe daljes).

Futja graduale e EES do të thotë që në gjashtë muajt e parë të dhënat e udhëtarëve mund të mos mblidhen menjëherë në çdo pikë kalimi kufitar dhe informacioni i tyre personal mund të mos regjistrohet në sistem. Pasaportat do të vazhdojnë të vulosen si zakonisht. Nga 10 prilli 2026, EES do të jetë plotësisht funksional dhe vulosja e pasaportave do të zëvendësohet me të dhëna elektronike në sistem.

Regjistrimi i të dhënave biometrike të udhëtarëve në EES kryhet një herë, kur një udhëtar mbërrin në një pikë kalimi kufitar Schengen për herë të parë. Në kalimin e tyre të ardhshëm, meqenëse të dhënat e udhëtarit do të jenë regjistruar tashmë në sistem, autoritetet kufitare thjesht do ta verifikojnë këtë informacion, duke e bërë procesin më të shpejtë.

I gjithë informacioni përkatës është postuar në faqen zyrtare të internetit të EES, https://travel-europe.europa.eu/ees.

ATSH: A do të ketë ndonjë ndryshim domethënës për ata që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra?

Rizzo: Përveç regjistrimit ose verifikimit të të dhënave të qytetarëve, përfshirë të dhënat e tyre biometrike, në sistem, asgjë tjetër nuk do të ndryshojë. Shtetasit shqiptarë do të jenë ende në gjendje të qëndrojnë në zonën Schengen deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, pa vizë qëndrimi të shkurtër.

Në rastin e sistemit të hyrjes/daljes, nuk do të ketë nevojë për aplikim paraprak online dhe nuk do të ketë tarifa përkatëse.

ATSH: Nëse një shtetas shqiptar udhëton në një vend të zonës Schengen dhe kalon disa pika kufitare, a do të regjistrohen të dhënat e tij për çdo hyrje dhe dalje, apo vetëm në një pikë kalimi?

Rizzo: Me sistemin e hyrjes/daljes, të dhënat e qytetarëve jo-BE regjistrohen në kufijtë e jashtëm të vendeve Schengen, domethënë kur hyjnë dhe dalin nga zona Schengen. Kur udhëtojnë brenda zonës Schengen, asgjë nuk do të ndryshojë.

ATSH: Si do të mbështeten qytetarët që mund të përballen me sfida teknike?

Rizzo: Vendet që përdorin sistemin janë përgjegjëse për zbatimin e tij. Në përgjithësi, udhëtarët mund të presin mbështetje dhe udhëzime gjatë gjithë procesit të hyrjes dhe daljes nga rojat kufitare, policia ose stafi tjetër në pikat e kalimit të kufirit të jashtëm të vendeve të Schengenit.

ATSH: Çfarë masash do të merren për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e të dhënave biometrike të qytetarëve të regjistruara në sistemin EES?

Rizzo: Sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ekzistojnë kërkesa që të dhënat personale të mblidhen për qëllime të specifikuara, të qarta dhe legjitime dhe të mos përpunohen më tej në një mënyrë të papajtueshme me këto qëllime.

EES përputhet me këtë dhe parime të tjera të mbrojtjes së të dhënave si dhe me kërkesat e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe cilësisë së të dhënave.

Masat mbrojtëse janë në vend për të siguruar të drejtat e udhëtarëve në lidhje me mbrojtjen e jetës së tyre private dhe të dhënave personale. Të dhënat e tyre personale do të ruhen në EES vetëm për aq kohë sa është e nevojshme dhe për qëllimin/qëllimet për të cilat janë mbledhur.

Të dhënat e ruajtura në EES janë të mbrojtura nga abuzimi dhe qasja në to është e kufizuar vetëm për stafin specifik brenda autoriteteve kombëtare. Masat mbrojtëse përfshijnë gjithashtu të drejtën e qytetarëve për të kërkuar akses në të dhënat e tyre, ose për të kërkuar korrigjimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave që lidhen me ta në EES.

EES mbikëqyret si nga Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave ashtu edhe nga autoritetet mbikëqyrëse kombëtare të pavarura në çdo vend pjesëmarrës.

/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›