E Hënë, 2 Nëntor 2026

IZRAEL – ”United Torah Judaism” tërhiqet nga qeveria për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

TEL AVIV, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Një parti ultraortodokse izraelite ka njoftuar tërheqjen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu për shkak të planeve për shërbimin e    detyrueshëm ushtarak, raportuan sot mediat izraelite.

Sipas faqes së lajmeve “Ynet”, partia ”United Torah Judaism”, e cila përfaqëson komunitetin Haredi, është e pakënaqur me një projektligj të paraqitur dje  që synon të rregullojë shërbimin ushtarak për ultraortodoksët.

Ligjvënësit e kësaj partie, përfshirë zëvendësministrin e Transportit dhe ministrin për Çështjet e Jerusalemit, pritet të japin dorëheqjen nga qeveria, megjithëse gazeta “Times of Israel” raportoi se dorëheqjet mund të marrin deri në 48 orë kohë për të hyrë në fuqi, duke i dhënë Netanyahut kohë të rishqyrtojë propozimet e tij.

”United Torah Judaism” ka shtatë vende në Knesset, parlamenti izraelit, me 120 vende.

Tërheqja e tyre nga koalicioni i Netanyahut do ta linte qeverinë me vetëm 61 vende, duke krijuar një shumicë shumë të ngushtë prej vetëm një mandati.

Si një ndërlikim shtesë për kryeministrin, edhe një parti tjetër ultraortodokse, ”Shas”  mund të largohet nga koalicioni për shkak të planeve, gjë që mund ta detyrojë Netanyahun ose të japë dorëheqjen ose të udhëheqë një qeveri minoritare.

Çështja e rekrutimit të burrave izraelitë shumë fetarë në ushtri ka qenë prej kohësh një pikë tensioni për koalicionin e Netanyahut.

Ajo është rikthyer në rendin e ditës për shkak të luftës në Gaza, pasi komandantët paralajmërojnë për një mungesë urgjente të ushtarëve të gatshëm për luftim./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›