KOMENT – Putini, i pashqetësuar nga kërcënimet e Trump, synon të vazhdojë luftën

MOSKE, 15 korrik /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin synon të vazhdojë të luftojë në Ukrainë derisa Perëndimi të angazhohet sipas kushteve të tij për paqe – i pashqetësuar nga kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për vendosjen e sanksioneve të ashpra – dhe kërkesat e tij territoriale mund të zgjerohen ndërsa forcat ruse avancojnë, thanë tre burime pranë Kremlinit, sipas “Reuters”.
“Putini, i cili urdhëroi trupat ruse të hynin në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 – pas tetë vitesh luftimesh në lindje të vendit – midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase – beson se ekonomia dhe ushtria e Rusisë janë mjaft të forta për t’i bërë ballë çdo mase shtesë perëndimore”, thanë burimet.
Trump shprehu dje zhgënjimin e tij pas refuzimit të Putinit për të rënë dakord për një armëpushim dhe njoftoi furnizime me armë për Ukrainën – duke përfshirë sistemet raketore tokë-ajër “Patriot”.
Ai gjithashtu kërcënoi se do të vendoste sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse nuk arrihej një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh.
“Putini nuk do ta ndalë luftën nën presionin e Perëndimit dhe beson se Rusia – e cila i ka mbijetuar sanksioneve të ashpra të Perëndimit – mund të durojë vështirësi të mëtejshme ekonomike, duke përfshirë tarifat e reja të SHBA-së që shënjestrojnë blerësit e naftës ruse”, thane tre burimet ruse.
“Putini mendon se askush nuk është angazhuar seriozisht për detajet e paqes në Ukrainë – përfshirë amerikanët – kështu që ai do të vazhdojë derisa të marrë atë që dëshiron”, tha një nga burimet në kushte anonimiteti.
“Pavarësisht disa telefonatave midis Trump dhe Putin, dhe vizitave në Rusi nga i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff, udhëheqësi rus beson se nuk ka pasur diskutime të hollësishme mbi bazën e një plani paqeje”, tha burimi.
“Putini e vlerëson marrëdhënien me Trump dhe pati diskutime të mira me Witkoff, por interesat e Rusisë janë mbi të gjitha”, shtoi burimi.
“Kushtet e Putinit për paqe përfshijnë një premtim ligjërisht të detyrueshëm se NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes, neutralitetin e Ukrainës dhe kufizime në forcat e saj të armatosura, mbrojtjen për folësit rusë që jetojnë atje, dhe pranimin e përfitimeve territoriale të Rusisë”, thanë burimet.
“Ai është gjithashtu i gatshëm të diskutojë një garanci sigurie për Ukrainën që përfshin fuqitë e mëdha, megjithëse nuk është aspak e qartë se si do të funksiononte kjo”, thanë burimet.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do ta njohë kurrë sovranitetin e Rusisë mbi rajonet e saj të pushtuara dhe se Kievi ruan të drejtën sovrane për të vendosur nëse dëshiron të bashkohet me NATO-n.
Megjithatë, një burim i dytë tha se Putini i konsideronte qëllimet e Moskës shumë më të rëndësishme sesa çdo humbje e mundshme ekonomike nga presioni perëndimor dhe se nuk ishte i shqetësuar nga kërcënimet e SHBA-së për të vendosur tarifa ndaj Kinës dhe Indisë për blerjen e naftës ruse.
Dy nga burimet thanë se Rusia ka epërsi në fushën e betejës dhe ekonomia e saj, e orientuar drejt luftës, po tejkalonte prodhimin e aleancës së NATO-s – të udhëhequr nga SHBA-ja – në municione kyçe, si predha artilerie.
Trump, që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, pasi premtoi një fund të shpejtë të luftës, është përpjekur të rindërtojë lidhjet me Rusinë, duke folur të paktën gjashtë herë në telefon me Putinin.
Administrata e Trump e ka cilësuar luftën si një konflikt vdekjeprurës ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe ka hedhur idenë e njohjes së aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Putini e portretizon luftën si një moment vendimtar në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin, i cili sipas tij e poshtëroi Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 duke zgjeruar NATO-n dhe duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Putini ende nuk ka pranuar propozimin e Trump për një armëpushim pa kushte, i cili u miratua shpejt nga Kievi.
Ditët e fundit Rusia ka përdorur qindra dronë për të sulmuar qytetet ukrainase.
Megjithatë, Trump i tha BBC-së në një intervistë të botuar sot se nuk kishte mbaruar me Putinin dhe se një marrëveshje për Ukrainën mbetej në plan. //a.i/