Ibrahimaj: Banka Kombëtare e Zhvillimit, financim zhvillimit në pushtetin lokal

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se mbledhja e të ardhurave dhe taksave nga bashkitë është vetëm një element në gjenerimin e të ardhurave.
Në takimin ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Pushtetit Vendor Ervin Demo, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetarët e bashkive në vend, Ibrahimaj tha se të ardhurat nga turizmi në bashkitë në vend duhet të ishin rritur me 6.6% njësoj siç është rritur numri i turistëve me 6.6%. Por, kjo sipas Ibrahimajt ka ndodhur vetëm në ato bashki ku fokusi ka qenë më i madh në mbledhjen e taksave dhe të ardhurave.
“Taksat dhe tarifat janë një element. Paketa e Maleve është një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur zhvillimin e investimeve në bashkitë që mbuloni. Një tjetër formë se si mund të krijohen të ardhurat janë sha.a-të. Kemi folur për sh.a-të e përbashkëta mes bashkive dhe sektorit privat. Kemi folur për mundësinë që disa prej jush të krijonit ndërmarrje për të menaxhuar tregjet apo pika grumbullimi”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj shtoi se 10 bashki janë financuar nga AZHBR për të ngritur tregjet, që edhe kjo është një formë që gjeneron të ardhura duke i dhënë akses të gjithë prodhimit bujqësor apo blegtoral që ndodhet në sipërfaqet që bashkitë mbulojnë.
“Një tjetër formë është një bashkëpunim trepalësh. Bashkitë kanë asete që duhet t’i vënë në dispozicion. Në disa bashki janë qendrat e transformimit bujqësor, të cilat kanë njohurinë dhe ka subjekte private që kanë dëshirën për të gjeneruar të ardhura dhe aftësinë menaxheriale. Është shumë e vlefshme që të ketë një bashkëpunim që të krijohen shoqëri të përbashkëta me këto komponentë, me bashkinë si pronar i aseteve, me QTTB (Qendrat e Transferimit Teknologjik Bujqësor) dhe bizneset si pronarë të dijes menaxheriale dhe praktike”, vijoi ajo.
“Në fushën bujqësore ka një potencial shumë të lartë dhe për disa bashki do ndërtojmë një projekt pilot që të ndërtojmë një plan biznesi që do të ketë nevojë për financime. Ne po operacionalizojmë Bankën Kombëtare të Zhvillimit, e cila qëllimin kryesor ka pasur financimin e zhvillimit në pushtetin lokal, ku financimi është më i ulët. Duke pasur një plan të qartë në pesë bashki pilot, do të bëjmë që brenda këtij viti të financojmë këto projekte pilote”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se ka një instrument financues që është në dipozicion të biznesit, por edhe shoqërvie ku pjesëmarrës është edhe shteti, dhe kjo është Banka e Shqipërisë që sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka vendosur në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh me qëllim financimin e biznesit me kosto të ulët.
“Qeveria ka venë në dispozicion një garanci sovrane e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut që të mos vendoset një kolateral i madh. Duhet të përqendrohemi të gjenerimi i të ardhurave pasi jo çdo gjë varet nga Buxheti i Shtetit. E rëndësishme është që të gjejmë instrumenta se si këtë rritje ekonomike ta mbajmë me po të njëjtat ritme”, pohoi Ibrahimaj.
/e.i/j.p/