E Diel, 1 Nëntor 2026

PARIS – Franca paralajmëron SHBA-në: Marrja e kontrollit të Groenlandës rrezikon tregtinë me BE-në

PARIS, 17 janar /ATSH/- Franca ka paralajmëruar Uashingtonin, se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë kontrollin e Groenlandës, do të përbënte një “vijë të kuqe” dhe do të rrezikonte marrëdhëniet ekonomike mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, sipas “Financial Times”.

Gjatë një takimi në Uashington, ministri francez i Financave, Roland Lescure, i përcolli shqetësimet në lidhje me aneksimin e Grenlandës, sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent.

“Shqetësimi në Evropë mbetet i madh, për shkak të deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan, Donald Trump mbi marrjen e kontrollit të Groenlandës, territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës”, tha Lescure.

“Groenlanda është pjesë sovrane e një shteti sovran që është anëtar i BE-së. Kjo nuk është diçka me të cilën mund të luhet”, shtoi ai.

Pavarësisht tensioneve me administratën Trump për çështje si Groenlanda, tarifat doganore dhe rregullimi i gjigantëve amerikanë të teknologjisë, Franca theksoi se dialogu me SHBA-në duhej të vazhdonte.

Evropa ka një interes strategjik për të bashkëpunuar me Uashingtonin në fusha kyçe, përfshirë përpjekjet për të ulur varësinë nga Kina në zinxhirët e furnizimit me minerale të rralla, një iniciativë që Franca synon ta çojë përpara në kuadër të G7-s.

Megjithatë, ai pranoi se një pushtim i mundshëm i Groenlandës do ta ndryshonte rrënjësisht situatën.

“Nëse do të ndodhte diçka e tillë, do të hynim në një botë krejtësisht të re dhe do të duhej të përshtateshim”, tha ai, duke shmangur spekulimet për sanksione të mundshme ekonomike ndaj SHBA-së.

BE-ja dhe SHBA-ja përbëjnë marrëdhënien më të madhe tregtare dypalëshe në botë.

Sipas të dhënave të BE-së, tregtia e mallrave dhe shërbimeve mes dy palëve i kaloi 1,6 trilion euro në vitin 2024, me SHBA-në si vendi më i madh i eksportit për bllokun evropian.

Sipas Lescure, q

“Qasja e administratës Trump e ka bërë bashkëpunimin gjithnjë e më të vështirë”, tha Lescure – duke e përshkruar SHBA-në si një aleate që herë sillet si partnere strategjike e herë si kundërshtare e paparashikueshme.

Një tjetër pikë përplasjeje mbetet rregullimi evropian i kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë.

Lescure konfirmoi se SHBA-ja kishte shprehur pakënaqësi për gjobat e vendosura nga BE-ja, përfshirë penalizimin prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X, në dhjetor.

“Ligjet evropiane do të zbatohen për çdo kompani që operon në Evropë”, tha Lescure.

Ndërkohë, Franca përballet edhe me sfida të brendshme serioze. Deficitet e larta buxhetore dhe bllokimi politik në parlament po kufizojnë ambiciet e Parisit në politikën e jashtme.

Qeveria synon ta ulë deficitin në 5% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa kriza buxhetore ka forcuar pozitat e ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

Lescure argumentoi se arritja e një marrëveshjeje buxhetore do të ishte thelbësore për të frenuar rritjen e së djathtës ekstreme, duke treguar se partitë tradicionale ishin ende të afta të qeverisnin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›