Ibrahimaj: Ekonomia rritje të qëndrueshme, e mbështetur nga investimet në infrastrukturë

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot ekonomia shqiptare do të vijojë të ketë rritje të qëndrueshme, e mbështetur nga investimet në infrastrukturë të qeverisë por edhe vetë biznesit.
Gjatë një takimi të mbajtur në Lezhë me sipërmarrës të kësaj zone, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, ministrja foli për rritje të numrit të bizneseve si dhe të të punësuarve në këtë qark.
“Gjatë 10 viteve të fundit kemi pasur së bashku jo pak sfida. Trashëguam një ekonomi, e cila nuk ishte e qëndrueshme, me borxh të lartë, rritje rreth 1%, e informalitetit”, tha ministrja.
Ibrahimaj vuri në dukje se qeveria ndërmori një sërë politikash dhe reformash për të stabilizuar treguesit makroekonomik.
“Kemi arritur të stabilizojmë ekonominë. Kemi rritur me 2,5 herë PBB-në, nga 9,6 miliardë euro, në 2024-ën PBB shkoi 25 miliardë euro”, u shpreh ministrja.
Nga ana tjetër, Ibrahimaj theksoi se edhe të ardhurat për frymë janë trefishuar. Sipas saj, nga 3300 euro, që ishin 10 vite më parë, sot ato kanë shkuar mbi 10 mijë euro.
“Ekonomia rritet me rreth 4% dhe ka perspektivë rritjeje. Kjo do të vijojë, sepse është e mbështetur nga investimet infrastrukturore të qeverisë, në porte, aeroporte, rrugë dhe hekurudha, por edhe nga investimet e vetë biznesit. Shqipëria po integrohet në tregjet e BE-së”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj u ndal dhe në shifrat e turizmit, teksa theksoi se turizmi nuk është thjeshtë një numër, por sjell edhe zhvillim dhe punësim.
Sipas saj, nëse në 2013-n të ardhurat nga ky sektor llogariteshin 1 miliard euro, sot ato kanë shkuar në 5 miliardë euro.
Po ashtu, Ibrahimaj tha se politikat e qeverisë mbështetën biznesin e vogël.
“Nga politikat e qeverisë biznesi ka përfituar 17 milionë euro në vit“, deklaroi ajo.
/a.f/r.e/