Rama: Gara për turizëm cilësor, bregdeti i Lezhës do të kthehet në vlerë të shtuar të Mesdheut

TIRANË, 18 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se falë investimeve të shumta, bregdeti i Lezhës do të kthehet në një nga bregdetet më të frekuentuar dhe me vlerë të shtuar të Mesdheut.
Në një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve në Tale (Lezhë) mbi nismat e qeverisë për të lehtësuar shërbimet ndaj tyre, Rama u ndal te projektet shumë ambicioze për zhvillimin e zonës së Lezhës.
“Në periudhën e dy viteve të fundit, sidomos posaçërisht vitin e fundit, ne po shohim projekte shumë ambicioze që po na vijnë për shqyrtim në Këshillin Kombëtar të Territorit nga kjo zonë dhe me iniciativën e njerëzve të këtyre territoreve”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje faktin se “pikërisht në këtë territor trashëguam një model zhvillimi të turizmit realisht shumë të prapambetur dhe problematik, që e sheh kur shkon në Shëngjin”.
“Mund të shohësh shumë qartë kontrastin mes çfarë u bë në të shkuarën dhe çfarë është bërë më pas. Kjo po i lë vendin një modeli tjetër që bazohet te projekte cilësore. Këtu po punojnë disa arkitektë me prestigj të madh ndërkombëtar, europianë deri dhe japonezë, dhe pa diskutim që kur ato projekte të fillojnë të dalin në sipërfaqe vlera e këtij bregdeti, por edhe vlera e shtuar që do të sjellë turizmi për Lezhën dhe ekonominë tonë kombëtare do të rritet”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se gara është për të sotmen dhe për të nesërmen e turizmit, është për cilësi, jo për sasi.
“Ne arritëm vjet në 12 milionë turistë. Kjo është një shifër që do të rritet ende. Nëse ne garën e bëjmë për sasinë, mund ta rrisim edhe shumë më tepër, por nuk na duhet kjo. Na duhet që këtë sasi ta mbajmë por edhe ta fuqizojmë nga pikëpamja e vlerës që sjell në cilësi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “duhet të ndërtojmë dhe krijojmë hapësira për turistët që konsumojnë më shumë, dhe në këtë bregdet kanë mundësi për t’i harmonizuar të dyja”.
“Ne kemi turizmin e masës si një bazë që duhet ta konsolidojmë, por duhet t’i vëmë sipër një shtresë tjetër, atë të cilësisë, ndaj jam i inkurajuar nga këto projekte që synojnë cilësinë”, shtoi Rama.
/r.e//a.f/