E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj: Raporti i DASH vlerëson stabilitetin makroekonomik dhe uljen e borxhit publik

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë ka njohur dhe vlerësuar stabilitetin makroekonomik të vendit, si dhe uljen e vazhdueshme të borxhit publik.

Sipas ministrit, këto rezultate janë pasojë e reformave të rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për forcimin e ekonomisë dhe menaxhimin e financave publike.

“Raporti konfirmon qëndrueshmërinë ekonomike të vendit dhe rrit besimin e investitorëve të huaj”, u shpreh Malaj, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë me reformat për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Ai shtoi se mbështetja e institucioneve ndërkombëtare është një sinjal i rëndësishëm për pozicionin pozitiv që ka arritur Shqipëria në arenën ekonomike globale.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit dhe investimet në Shqipëri, publikuar së fundmi, vlerëson se situata makroekonomike e vendit është e qëndrueshme dhe në përmirësim të vazhdueshëm.

Sipas raportit, rritja ekonomike në vitin 2024 arriti në 4%, ndërsa inflacioni ra në 2,2%, duke u pozicionuar brenda intervalit të synuar prej 2-3% nga Banka e Shqipërisë. Ky tregues përbën një përmirësim të dukshëm në krahasim me nivelin më të lartë prej 6,73% që u regjistrua në vitin 2022.

Gjithashtu, raporti thekson uljen e borxhit të brendshëm ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), i cili ka rënë nga 75% në vitin 2021, në 55% në vitin 2024, duke reflektuar konsolidimin e qëndrueshëm fiskal.

Raporti i DASH thekson edhe rëndësinë e politikave monetare të kujdesshme, forcimin e monedhës vendase, si dhe rritjen e të ardhurave nga taksat, si elementë kyç për stabilitetin ekonomik të Shqipërisë.

Raporti nxit optimizëm për klimën e investimeve dhe zhvillimin e biznesit në vend, duke vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për të forcuar ekonominë dhe për të rritur besimin e investitorëve të huaj.

1 nga 3

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›