E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Instrumente të reja financimi për bizneset, “Dyfisho sipërmarrjen tënde” së shpejti në zbatim

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha sot se së shpejti do të lançohen instrumente të reja financiare për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare, me fokus rritjen e kapaciteteve, modernizimin e bizneseve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Në fjalën e saj në gjatë prezantimit të programit “Rilindja 2.0” ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se “për pak ditë lançojmë një instrument jashtëzakonisht të rëndësishëm të aksesit në financë, instrumentin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili do t’i vendoset në dispozicion çdo biznesi shqiptar në të gjithë shpërndarjen gjeografike të vendit me qëllim rritjen e kapaciteteve, me qëllim modernizimin, me qëllim arritjen e standardeve të Bashkimit Europian”.

Ibrahimaj bëri të ditur se paralelisht me këtë nismë, prej vitesh vijon programi i mbështetjes së startup-eve.

“Ne kemi iniciuar një program të madh të suportit të startupe-ve, të cilat vërtet mund të jenë të vogla sot, por janë të domosdoshme për zhvillimin edhe të biznesit të madh edhe të korporatave, pasi synimi është që startup-et që ne financojmë të shkojnë për të modernizuar biznesin e madh dhe të ndikojnë në produktivitetin e vendit”, tha Ibrahimaj.

“Jo vetëm në Tiranë u prezantua në program që neve kemi një shpërndarje jo të drejtë të të zhvillimit të startup-eve. Deri vitin e kaluar kemi pasur 85% të sipërmarrjeve inovative të përqendruara në Tiranë me dyfishimin e fondit të këtij viti ne kemi një shpërndarje më të mirë. Rreth 25% e fondeve që janë shpërndarë që nga fillimi i programit janë të dedikuara  drejt sipërmarrjeve inovative që janë të themeluara jashtë Tiranës. Ne duam që kjo ky kjo shifër të rritet dhe sigurisht që do të hartojmë politikat e duhura me qëllim që kjo shifër të rritet”, tha Ibrahimaj.

Sigurisht, shtoi ajo, që të rriten duhet që fondi të rritet, por edhe që të ndryshohen instrumentet në dispozicion.

“Këto ditë do të lançojmë një tjetër instrument, i cili lidhet me financimin e startup-eve që ka të bëjë me një fond, që do të vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare. Jemi në bisedim me Bashkimin Europian që dhe ata të vënë një fond në dispozicion për startup-et ku ky fond do të investohet në pjesëmarrje në kompani, në aksione të kompanive me qëllim që t’i japim një tjetër dorë dhe një tjetër përshpejtim”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj u shpreh se “ndërmarrjet që kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për mbështetje financiare siç kanë nevojë dhe për zhvillimin e kapitalit njerëzor”.

“Ndaj dhe pa diskutim që një nga politikat e rëndësishme që mbështet zhvillimin e kapitalit njerëzor në nivel rajonal janë jo vetëm shkollat profesionale, të cilat neve i kemi mbështetur qoftë në infrastrukturë, por qoftë dhe në bashkëpunime ndërkombëtare”, vuri në dukje ajo.

“Përmend këtu bashkëpunimin që kemi me një nga ekselencat e turizmit në Europë dhe në botë, shkollën e Lozanës. Por ndërkohë jemi duke biseduar dhe në përpjekje për të vazhduar një bashkëpunim me disa universitete ndërkombëtare, të cilat do të jenë të shpërndara në të gjitha qarqet, në disa qarqe kryesore ku ka nevojë për aktivizim të kapitalit njerëzor dhe për aktivizim të dijes me qëllim që të rrisim potencialin e edukimit qoftë në nivel profesional qoftë në nivel të arsimit të lartë”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se “janë politika që janë të integruara ndaj dhe kanë nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj dhe është shumë e rëndësishme që sot të jemi të gjithë bashkë për të biseduar qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel vendor dhe për të linjëzuar politikat tona me qëllim që ky program të ketë sukses me qëllim që zhvillimi ekonomik i vendit të mos njohin ndalimin”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›