E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim për vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, dy të arrestuar në Durrës

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”.

Operacioni u realizua si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të shtrirë në kohë ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup.

Sipas policisë, në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

Policia bëri me dije se për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë iu gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend.

Në vijim, policia njofoi se u arrestua në flagrancë shtetasi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xh. R., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar, dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›