E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Shteti dhe startup-et, partnerë për të eksportuar produktet inovative


TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Mbështetja për inovacionin, teknologjinë dhe startup-et shqiptare është një nga prioritetet kryesore të qeverisë, si pjesë e vizionit për transformimin e Shqipërisë në një ekonomi moderne, konkurruese dhe të digjitalizuar.

Gjatë një vizite në kompaninë “Baboon atWork”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e krijimit të një ekosistemi ku idetë shqiptare jo vetëm të zhvillohen, por edhe të komercializohen në tregjet ndërkombëtare.

“Shqipëria është një treg i vogël, por idetë dhe zgjidhjet që krijohen nga startup-et shqiptare nuk kanë kufij. Duam të nxisim bashkëpunimin mes shtetit dhe sipërmarrjes private, që zgjidhjet të zhvillohen këtu dhe të eksportohen jashtë vendit, ndërsa shteti përfiton nga automatizimi dhe rritja e efikasitetit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo bëri të ditur se qeveria po punon për ngritjen e një akseleratori të madh inovacioni, ku startup-et do të punojnë së bashku me administratën publike për të zhvilluar zgjidhje teknologjike për nevoja konkrete të sektorit publik dhe privat.

“Qëllimi ynë është përhapja e inteligjencës artificiale jo vetëm në sektorin publik, ku tashmë kemi projekte pilot, por edhe në sektorin privat, veçanërisht në fusha ku ka mungesë të modernizimit. Përmes teknologjisë synojmë rritjen e produktivitetit, uljen e kostove dhe përmirësimin e shërbimeve”, tha ministrja.

Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se fondi qeveritar për mbështetjen e inovacionit do të trefishohet në katërvjeçarin e ardhshëm, me synimin për të krijuar sa më shumë histori suksesi dhe për të nxitur pjesëmarrjen e bizneseve të reja në tregun digjital.

Në këtë kuadër, Programi Kombëtar “Cashless Albania 2028” mbetet një shtyllë e rëndësishme e këtij transformimi. Ibrahimaj theksoi se ky program synon të krijojë një ekonomi pa para në dorë, më transparente dhe më të shpejtë në transaksione.

“Kemi realizuar një projekt pilot për të kuptuar më mirë problematikat që hasen në përdorimin e pagesave elektronike. Infrastruktura tashmë ekziston, falë investimeve dhe zhvillimeve të bankave, dhe sfida tani është përdorimi sa më i gjerë dhe efikas i saj në praktikë”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja shtoi se shumë shpejt do të publikohet një program i ri kombëtar për pagesat elektronike, i cili do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë mes shtetit, sipërmarrjes dhe qytetarëve për ta bërë këtë transformim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›