E Hënë, 2 Nëntor 2026

Taksat e mjeteve përmes e-Albania, Haxhiu: Asnjë komision shtesë për qytetarët

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Qytetarët që zotërojnë mjete tashmë mund të kryejnë pagesën e taksës së automjetit në mënyrë të thjeshtuar dhe tërësisht online përmes platformës qendrore e-Albania, pa pasur më nevojë të paraqiten fizikisht pranë sporteleve të DRSHTRR.

Drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR-së, Endri Haxhiu, në një intervistë për ATSH-në, shpjegoi se kjo nismë sjell përfitime të mëdha për qytetarët, duke thjeshtuar procesin e pagesës dhe duke kursyer kohë e para.

Sipas Haxhiut, janë mbi 157 mijë zotërues mjetesh që tashmë përfitojnë nga ky shërbim, me një kursim prej rreth 58 milionë lekësh, rezultat i eliminimit të nevojës për paraqitje fizike në sportele.

Ai vuri në dukje se falë kësaj platforme janë shmangur gjithashtu mbi 11 mijë ditë pune, 4,7 milionë kilometra udhëtim dhe mbi 330 mijë litra karburant, shifra që tregojnë qartë përfitimet ekonomike dhe ekologjike të këtij procesi digjital.

Kreu i DPSHTRR-së, Haxhiu theksoi se integrimi i pagesës online në e-Albania e bën të mundur që qytetarët të kryejnë pagesat në mënyrë të sigurt dhe të thjeshtë, duke shmangur penalitetet për vonesë dhe duke marrë pullën e taksës automatikisht në menunë “Dokumentat e mia”.

Ai nënvizoi se pagesat përmes bankave kryhen pa asnjë komision shtesë për qytetarët.

“Pagesat e taksës përmes platformës e-Albania, duke përdorur kanalin bankar, kryhen pa asnjë komision shtesë për qytetarët”, deklaroi Haxhiu.

Taksa e mjeteve gjenerohet automatikisht në e-Albania, pa qenë nevoja që qytetari të plotësojë manualisht të dhënat e mjetit.

“Megjithatë, në rastet kur mjeti rezulton jashtë afatit të kontrollit teknik, pagesa e taksës nuk mund të kryhet, pasi mbi mjetin rëndon një gjobë e vendosur gjatë procesit të kontrollit teknik. Kjo gjobë nuk mund të shlyhet ende përmes e-Albania dhe duhet paguar fizikisht në sportel, përpara kryerjes së kolaudimit. Vetëm pas shlyerjes së gjobës, qytetari mund të vijojë me pagesën e taksës dhe kryerjen e kontrollit teknik”, shpjegoi Haxhiu.

Për sa i përket përdoruesve që nuk kanë eksperiencë me platformën e-Albania, Haxhiu theksoi se shërbimi është ndërtuar me një strukturë të qartë dhe të thjeshtë, që mundëson që edhe ata me pak ose pa njohuri digjitale ta kryejnë lehtësisht pagesën.

“Shërbimi i pagesës së taksës në e-Albania është konceptuar si një shërbim i aksesueshëm për të gjithë, i strukturuar me hapa të qartë dhe të thjeshtë, në mënyrë që çdo qytetar edhe ata me pak ose pa njohuri në sisteme digjitale, të mund ta përfundojë procedurën pa vështirësi. Për qytetarët që kanë vështirësi me përdorimin e platformës online, DPSHTRR ofron mbështetje praktike dhe të menjëhershme si asistencë të drejtpërdrejtë në sportelet e DRSHTRR-ve, ku punonjësit ndihmojnë qytetarët në përfundimin e procedurave apo udhëzues hap pas hapi, të publikuar në faqen zyrtare dhe në kanalet e komunikimit të institucionit, për të lehtësuar përdorimin e shërbimeve online”, theksoi ai.

Për çdo vështirësi gjatë procesit, vuri në dukje Haxhiu, qytetarët mund të kontaktojnë edhe nëpërmjet numrit zyrtar të telefonit të DPSHTRR-së, ku marrin udhëzime në kohë reale.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›