E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ilir Beqaj sulmon gjyqtaren, Flojera Davidhi ashpërsoi akuzën, e bëri ish-ministrin pjesë të grupit kriminal

Nga qelia e paraburgimit, ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kundërshtoi kalimin e dosjes për gjykim duke i konsideruar veprimet e gjykatës të njëjta me ato të Komisionit Hetimor për Sterilizimin të drejtuar nga deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Ilir Beqaj: Ekziston një ngjashmëri shumë e madhe midis procesit hetimor që zhvilloi Albana Vokshi si drejtuese e komisionit hetimor parlamentar të kallëzimit të saj dhe procesit gjyqësor që zhvilloi Gjyqtarja e seancës paraprake. Të dyja proceset zgjatën me muaj të tërë dhe të dyja dështuan duke përfunduar me urdhra dhe skema për të mbyllur gojën time. Albana Vokshi mori urdhër për të më mbajtur dy ditë peng në Kuvend pa më dhënë të drejtën për të folur dhe për t’u mbrojtur nga akuzat e saj disa vjeçare.

Njëlloj si në 23 janar, kur dosja e “Sterilizimit” kaloi për gjykim, edhe sot Beqaj u tregua kritik ndaj gjyqtares së seancës paraprake, Flojera Davidhi, e cila vendosi t’i ashpërsonte atij akuzën, nga “shpërdorim detyre” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, e kryer kjo në bashkëpunim si grup kriminal.

Ilir Beqaj: Gjyqtarja vendosi që të mos shpjegonte/arsyetonte vendimin e saj të ndërmjetëm kur ftoi prokurorët që të korrigjonin akuzën, e cila ishte në thelb një akuzë totalisht e re. Dhe për këtë kishte një arsye. Në Njoftimin e Akuzës nga prokurorët dhe në provat bashkëlidhur nuk kishte asnjë provë që përligjte ngritjen e kësaj akuze të re. Natyrshëm që Berisha dhe Vokshi e kanë duartrokitur qëndrimin e Gjyqtares. Të njëjtës gjyqtare që i hoqi masën “arrest shtëpie” Sali Berishës. Të dy këta, si edhe Petrit Vasilin, do t’i thërras dëshmitarë në gjyq. Të ma thonë në sy fjalën “hajdut” dhe po në sy t’u them përgjigjen time.

Kjo është hera e parë që një ish-ministër gjykohet për grup të strukturuar kriminal.

Ai tashmë do të përballet në Gjykatën e Posaçme me gjykimin në themel për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit.

Ilir Beqaj, krahas kësaj dosjeje, po hetohet edhe për katër vepra te tjera penale, “korrupsion”, “mashtrim”, “fshehje pasurie” dhe “shkelje e barazisë në tendera” për abuzim me fondet e  bashkimit europian./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›