E Martë, 3 Nëntor 2026

Infrastruktura kritike e informacionit, AKSK njeh operatorët me kuadrin e ri ligjor

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të listës së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka nisur zbatimin e këtij vendimi përmes një serie takimesh informuese me subjektet e reja të përfshira në listë.

Gjatë takimeve të zhvilluara sot, përfaqësuesit e operatorëve të përfshirë për herë të parë në këtë proces u njohën me kuadrin e ri ligjor, si dhe me rolin mbikëqyrës të AKSK-së.
Diskutimet u fokusuan në detyrimet që rrjedhin nga ky përfshirje, përfshirë zbatimin e masave të sigurisë, ngritjen e strukturave të brendshme për menaxhimin e riskut kibernetik, si dhe procedurat për raportimin e incidenteve.

I pranishëm në këto takime, drejtori i përgjithshëm i AKSK-së, Igli Tafa, vlerësoi përfshirjen e operatorëve të rinj si një hap thelbësor në forcimin e arkitekturës së sigurisë kibernetike në nivel kombëtar.

“Operatorët e rinj janë tashmë ambasadorë të sigurisë kibernetike”, u shpreh Tafa, duke theksuar se përvoja shumëvjeçare e Autoritetit do të vihet në funksion të tyre për të ndërtuar një hapësirë digjitale më të sigurt dhe të qëndrueshme.

Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë me çdo subjekt të përfshirë është thelbësor për mbrojtjen efektive të funksioneve kritike që mbështesin jetën institucionale dhe interesin publik.

AKSK njoftoi gjithashtu se do të vijojë të ofrojë mbështetje teknike dhe trajnime të dedikuara për subjektet e reja, me qëllim zbatimin efektiv të kërkesave ligjore dhe rritjen e kapaciteteve të tyre të brendshme për përballimin e sfidave të vazhdueshme në fushën e sigurisë kibernetike. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›