Inspekton punimet në shkollën “22 Tetori”, Rama: Po rilind për t’u kthyer në një hapësirë dinjitoze për arsimin në Berat

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Berat, u njoh nga afër me punimet që po kryen në shkollën “22 Tetori”, ndërsa vizitoi edhe mjediset e reja sportive, tashmë drejt përfundimit.
Shkolla “22 Tetori” do të mirëpresë rreth 500 nxënës, të cilët do të përfitojnë nga klasa moderne, laboratorë të pajisur, ambiente “smartlab” dhe palestër sportive, duke krijuar një mjedis që nxit cilësinë në arsim dhe zhvillimin e aftësive praktike.
Përtej funksionit tradicional, projekti parashikon edhe hapësira të dedikuara për artin dhe zejet, duke e shndërruar shkollën në një qendër komunitare multifunksionale.
“Berat – Shkolla “22 Tetori” po rilind për t’u kthyer në një hapësirë moderne dhe dinjitoze për arsimin në qytet. Pas gjimnazit të bërë nga e para, “Babë Dudë Karbunara”, shkolla “22 Tetori” do t’u ofrojë gjithashtu rreth 500 nxënësve të 9-vjeçares kushte bashkëkohore mësimi, laboratorë modernë, “smartlab”, palestër dhe klasa sipas standardeve europiane. Në projekt është menduar edhe një hapësirë për artin dhe zejet, duke e kthyer shkollën në më shumë se një institucion arsimor, në një qendër komunitare ku bashkohen nxënësit, mësuesit dhe prindërit”, shkruan Rama në postimin e tij.